Shefat e grupeve parlamentare të LVV-së e AAK-së janë përplasur nga distanca dje nga studiot televizive të televizionit T7. Shkak u bë deklarata e deputetit Daut Haradinaj në emisionin Pressing në T7 ku tha se AAK-së do t’i zgjerohet grupi parlamentar me anëtarë të partive tjera, përfshirë këtu edhe pjesëtarë të Vetëvendosjes. Kësaj deklarate i është përgjigjur deputeti Rexhep Selimi në emisionin DPT te Fidani.
Partisë së Ramush Haradinajt në Kuvendin e Kosovës do t’i shtohen edhe emra të rinj, që janë anëtarë të partive tjera politike në Kuvend.
Pas aderimit të Haxhi Shalës, nga Nisma në AAK, shefi i deputetëve të Aleancës, Daut Haradinaj, ka thënë se grupi parlamentar i këtij subjekti do të rritet edhe me emra të rinj, e në mesin e tyre edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Deklaratës, të cilën Haradinaj e dha në emisionin Pressing në T7, i është përgjigjur shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
I ftuar në emisioni DPT te Fidani, Selimi ka thënë se kjo nuk ka gjasa të ndodhë.
“Përse një deputet do të lëshonte VV-në dhe të kalonte në AAK. Më falni se nuk po e them me qëllim të keq, por e vetmja që do mund ta bënte këtë do ishte Donika Kadaj. Le t’i ruaj ata që i ka”, deklaroi Selimi.
Pak minuta pas kësaj deklarate, Daut Haradinaj i është përgjigjur deputetit të LVV-së përmes një shkrimi në Facebook.
Haradinaj nuk pëmendi Selimin me emër, por tha se ndoshta dikush i konsideron deputetët pronë personale.
“Njëri paska thënë ruaji deputetët tu se po të ikin. Çfarë logjike e çuditshme, thua ti që deputetët janë bagëti me i rujtë. Ndoshta dikush i konsideron deputetët e grupit të vet parlamentar si pronë personale, por e vërteta është që Grupi Parlamentar i AAK-së shumë shpejtë do të rritet”, ka shkruar Haradinaj.