Me gjithë hyrjen në fuqi në fillim të këtij viti të ligjit për gjobat në komunikacion, aksidentet e trafikut në Kosovë po vazhdojnë të marrin shumë jetë njerëzish, shkruan lajmi.net.
Me fatalitet përfundoi edhe aksidenti i djeshëm në Gllarevë të Klinës, ku humbën jetën tre persona, e u lënduan dy të tjerë.
E në 7 mijë e 626 aksidente gjithsej në periudhën 1 janar deri më 15 korrik të 2018 -ës, humbën jetën 59 persona në tërë territorin e Kosovës.
Në statistikat e ofruara nga Policia e Kosovës për lajmi.net, megjithatë vërehet një ulje e vogël e numrit të personave që humbën jetën në aksidentet nëpër rrugët e Kosovës krahasuar me vitin paraprak.
Për të njëjtën periudhë, nga 1 janari i 2017-ës e deri më 15 korrik të po atij viti, 63 persona humbën jetën nga aksidentet e trafikut.
Kështu nga 8 mijë e 812 aksidente në total për këtë periudhë, 60 rezultuan të jenë fatale.
Megjithatë, duke pasur parasysh edhe aksidentet që ndodhën në 10 ditshin e fundit në Kosovë, numri i viktimave është edhe më i madh.
Duke përfshirë aksidentet në Gllarevë, Vitomericë, Skenderaj, dhe Prizren numri i të vdekurve për këtë vit në tërë territorin e Kosovës nga aksidentet e trafikut arrin deri në 65.
Nga të njëjta statistika të ofruara nga Policia e Kosovës, bëhet e ditur se për të njëjtën periudhë, në 3 mijë e 104 aksidente, lëndime pësuan 6 mijë e 119 persona.
E lidhur me këtë, Policia e Kosovës me qëllim të reduktimit të aksidenteve në tërësi, e në veçanti të atyre me pasoja fatale, në vazhdimësi kërkon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti te drejtuesit e automjeteve, që të jenë të kujdesshëm dhe sa më vigjilentë gjatë drejtimit të automjeteve të tyre, duke respektuar në tërësi të gjitha rregullat dhe dispozitat ligjore në veçanti kufizimin e shpejtësisë.