Ditëve të fundit vendi po shënon rritje të madhe të rasteve pozitive me COVID-19, ku më së shumti janë duke u infektuar fëmijët.
Gjatë 24 orëve nga 4,397 nga mosha 0 deri 9 vjeç janë të prekur mbi 200 fëmijë dhe nga mosha 10 deri 19 vjeç janë të prekur janë mbi 1000 fëmijë.
Doktoresha në Pediatri, Vlora Nimani, foli për gjendjen e fëmijëve që janë duke u trajtuar në klinikë.
“Tani kemi të bëjmë me ekspozimin më të madh të fëmijëve karshi variantit Omicron që po dominon kohëve të fundit Kosovë dhe botë në përgjithësi. Ekspozimi i fëmijëve është shkaktari që e ka rritur numrin e rasteve pozitive tek fëmijët”, tha Nimani për Klan Kosovën.
Nimani mes tjerash thotë se ka pak fëmijë të imunizuar ndaj COVID-19.
“Për fat të keq kemi shtim të numrit të fëmijëve të cilët vijnë për kontrollë ambulantive dhe të hospitalizuar që janë të pavaksinuar. Në njësinë e kujdesit COVID pozitiv aktualisht i kemi tetë fëmijë të shtrirë, dy prej tyre janë në oksigjeno-terapi me gjendje relativisht stabile – drejt të rëndës. Dominon simptoma respiratore”, tha ajo.
“Deri tani në vizitë ambulantive kanë qenë mbi 50 fëmijë ku 12 fëmijë kanë qenë pozitivë me COVID-19. Prindërit e tyre kanë qenë të vaksinuar ndërsa fëmijët jo”, tha Nimani.