“Departamenti i Krimeve të Rënda i Prokurorisë Themelore të Pejës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: A.S., M.S. dhe B.R., për shkak të dyshimit të bazuar se duke vepruar në bashkim kriminal kanë kryer vepër penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179, paragrafi 1 nën paragrafin 1.4, 1.6 dhe 1.8 lidhur me nenin 34 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.R. me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt ka porositur të pandehurin Gj.P. që së bashku me të pandehurit A.S. dhe M.S. ta kryejnë vrasjen e viktimës F.Gj., duke iu premtuar shumën prej 100.000 frangash zvicerane, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit të PK-së, të pandehurit Gj.P. A.S. dhe M.S., duke vepruar sipas kësaj marrëveshjeje, në mënyrë dinake dhe për fitim të dobisë pasurore për vete, kanë shfrytëzuar gjendjen ekonomike të viktimës, të cilin e kishin joshur me substanca narkotike dhe e kishin vënë në pritë, duke e ftuar që ta marrë narkotikun, siç i kishte premtuar i pandehuri A.S., me ç’rast i njëjti përcillet nga i pandehuri Gj.P. dhe sapo arrin viktima te ura që i lidh fshatin Llukë të Komunës së Deçanit me atë të Prapaqanit, i pandehuri M.S. i zë pritën dhe shtie me armë automatike në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa më pas i pandehuri A.S. shkon dhe e merr të pandehurin M.S. për t’u arratisur deri ditën kur janë arrestuar.
Të pandehurit kanë realizuar me veprimet e tyre figurën e veprës penale të përshkruar sikurse më lart, me ç’rast prokurori i propozoi gjykatës që të njëjtit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.