PDK: Agresori ishte Serbia, viktima ishte Kosova – vendimi i sotëm goditje e rëndë për UÇK

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatën, zhgënjimin dhe kundërshtimin e saj për aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përmes një njoftimi, kjo parti thotë se sot në Hagë u godit rëndë e drejta e popullit tonë që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi shtetëror serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës.

“Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, sepse mbështetet në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë. Por historia e Kosovës është shkruar këtu, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Dhe ajo nuk rishkruhet sot”.

Po ashtu, në komunikatë PDK-ja rithekson se historia jonë është shkruar nga populli ynë që luftoi për mbijetesë, nga mijëra dëshmorë e martirë, nga qindra mijëra qytetarë të dëbuar prej shtëpive të tyre dhe nga një aleancë historike me botën demokratike që, në vitin 1999, i dha fund represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb në Kosovë.

“Agresori ishte Serbia. Viktima ishte Kosova. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigjja e popullit tonë që kërkonte të jetonte i lirë. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë aktgjykim”.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk shkuan në Hagë duke ikur nga drejtësia. Ata iu përgjigjën asaj vullnetarisht, me besimin se e vërteta do të triumfonte. Prandaj, vendimi i sotëm është një goditje e rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Sot, qytetarët e Kosovës ndihen të lënduar dhe të zhgënjyer nga ky aktgjykim i padrejtë”.

PDK thekson se do ta kundërshtojë këtë aktgjykim me argumente, me të gjitha mjetet demokratike dhe në çdo forum ku duhet mbrojtur e vërteta për luftën e Kosovës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img