Site icon PrishtinaPress

Partitë politike shpallin zgjedhjet e brendshme

Subjektet politike kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet e brendshme partiake. Ndër të parat është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e cila ka filluar me përgatitjet e zgjedhjeve të brendshme. Në nëntor të vitit të kaluar, kjo parti ka njoftuar se ka nisur përgatitjet në të gjitha degët, nëndegët dhe seksionet, duke paralajmëruar reforma të mëdha.

Mirëpo, nuk është vetëm PDK-ja e cila ka nis përgatitjet. Edhe subjektet e tjera politike si Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë nisur me këto përgatitje, ndërsa LDK këtë vit nuk do t’i mbajë ato.

Deputeti dhe sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri për Indeksonline ka thënë se kjo parti këtë vit nuk ka në agjendë zgjedhjet partiake.

Beqiri ka bërë të ditur se këto zgjedhje do të mbahen në vitin 2019, për çka është herët përgatitja për to.

“Lidhja Demokratike e Kosovës zgjedhjet e rregullta partiake i ka vitin e ardhshëm. Edhe këto pastaj duhet që në kohën e duhur më i shpallë forumi përkatës i partisë. Çka nënkupton që nuk jemi duke bërë kurrfarë përgatitjesh për zgjedhje partiake sepse nuk e kemi në agjendë, është herët për këtë. Këtë vit, LDK-ja ka tjera prioritete dhe prioritet për ne kryesor është angazhimi që të kemi zgjedhje të reja, nacionale ose parlamentare, për çka ne gradualisht jemi duke bërë përgatitjet. Ne kemi lëshuar deklaratë për këtë dhe për mendimin tonë është e dëmshme nëse vazhdohet me këtë qeveri, më këtë koalicion aktualisht që është. Tash kur kryetari Isa Mustafa gjendet bashkë me ne, është me lehtë koordinimi i veprimeve në lidhje me zgjedhjet e reja”, ka thënë sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri.

Në anën tjetër, Ali Berisha sekretar organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për Indeksonline ka thënë se tashmë kanë nisur përgatitjet për zgjedhje partiake nëpër nëndegë.

“Po ka kohë që kemi filluar me zgjedhjet e brendshme në parti. Do të thotë qysh në muajin shkurt të këtij viti janë shpall zgjedhjet në parti nga kryesia e partisë dhe nga kryetari Haradinaj. Ky proces është në vlugun më të madh të saj. Do të thotë në nëndegë tona janë duke u mbajtur tash kuvendet, domethënë niveli i parë i strukturave të partisë. Gjithashtu një grup është duke punuar në statutin e partisë për ndryshimet eventuale të partisë dhe kuvendet e degëve do të përfundojnë nga mesi i majit”, është shprehur Berisha.

Ai ka bërë me dije se në fillim të qershorit do të mblidhet kuvendi ku do të zgjidhen strukturat e reja të Aleancës.

“Ndërsa, zgjedhjet për nivelin qendror, do të thotë Kuvendi i Aleancës në nivel qendror, besojmë që deri në fund të majit do të kryhen përgatitje dhe fillimi qershorit do të kemi kuvendin e partisë ku duhet të zgjidhen strukturat e reja të Aleancës”, ka theksuar Berisha.

Edhe Nisma Socialdemokrate ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e brendshme. Procesi do të nis këtë muaj, fillimisht nëpër nëndegë.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në dhjetor të vitit të kaluar ka shpallur zgjedhjet e brendshme, pikërisht në kohën kur nisen përplasjet brenda partisë.

Exit mobile version