Site icon PrishtinaPress

Parashihet zhvendosja e familjes Jashari

Projektligji parasheh që disa shtëpi të lagjes, përfshirë edhe atë të familjes Jashari, do të zhvendosen.

Kullat e Jasharëve qëndruan në këmbë përballë artilerisë serbe në kohë lufte.

Por rrezikohen të shemben tash në kohë paqeje.

Një proces që quhet konservim e që do siguronte që këto të ruhen në mënyrën si janë për kohë të gjatë, nuk u bë në Prekaz.

Ani pse një hap i vonuar Projektligji për Kompleksin Memorial në Prekaz ka dalë nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor.

E në këtë projektligj që e ka siguruar Frontal, në T7, është propozuar të shpallet Kompleksi Memorial “Adem Jashari” zonë me interes të veçantë kombëtar pasur parasysh heroizmin e familjës Jashari dhe sakrificën e bërë.

Kompleksi Memorial dhe zona e tij, sipas këtij projektligji dhe Ligjit për Trashëgimi Kulturore, ka status të mbrojtjes së përhershme.

Kompleksi në Prekaz do të realizohet sipas Projektit, i cili përzgjidhet në bazë të shpalljes së hapur dhe publike.

Projekti duhet që të përmbajë pjesën e varrezave, konservimin e Kullave të rezistencës dhe bunkerit, objektin e informacionit, amfiteatrin verorë bashkë me objekte përcjellëse të tij, muzeun, shtatoren e Adem Jasharit, obeliskun, objektin për Garden ceremoniale të FSK-së, vend parkingun, parkun e Kompleksit, zhvendosjen e disa shtëpive të lagjes Jashari, përfshirë edhe shtëpitë e familjes Jashari, dhe objekte tjera të nevojshme.

E projekti do të zgjidhet nga një Këshill që i emëruar nga Qeveria , me kërkesën e drejtorisë së Agjencisë për Mbrojtjen e memorialëve që është edhe mbikëqyrësi kryesor në këtë kompleks.

Tre ekspertë planifikohen te jenë ata që bëjnë përzgjedhjen e projektit adekuat.

Shpronësimi i palujtshmërive me qëllim të ndërtimit të Kompleksit poashtu është i futur në këtë dokument që do t`i dërgohët Kuvendit.

Nderkaq në të janë të specifikuara edhe organizimet që do mbahen në Kompleksin Memorial , përfshirë ditët e Marsit .

Manifestimi ”Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” do të organizohet për çdo vit, në datat: 5, 6 dhe 7 mars.

Qeveria e Republikës së Kosovës, cakton këshillin organizativ, në përbërje të të cilit do të jenë edhe Komandanti i FSK-së dhe Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës.

Por organizimet që do ndalohen janë ato politike dhe të natyrave të ngjashme.

Vizitat në Kompleksin Memorial nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe personave të tjerë në mënyrë të organizuar apo individuale, do të bëhen pa kurrfarë kufizimesh, në të gjitha pjesët e tij.

Pjesëtaret e Gardës Ceremoniale të FSK-së do të vendosen në mënyrë permanente në objektin e veçantë të Kompleksit Memorial dhe do të shërbejë si “Roje Nderi”.

E me miratimin e këtij projektligji , shfuqizohet ligji i deritanishëm që la Kompleksin në Prekaz në gjendje jo fort të mirë.

Exit mobile version