Borxhi i kompanive rajonale të ujësjellësve ndaj shtetit, për periudhën prej vitit 2007 deri në vitin 2017 ka arritur në 1.5 milion euro. Ky borxh u akumulua për shkak të taksës ujore dhe pajisjes me Leje Ujore nga shteti.
Tetë kompanive iu është mundësuar që brenda katër viteve të ardhshme të bëhet shlyerja e borxhit, me kusht që 20% i tij të paguhej brenda muajit shtator. E nëse nuk do të bëhej shlyerja e borxhit, atëherë kompanive të ujësjellësit do iu merrej Leja Ujore.
Kjo marrëveshje u arrit pas takimit mes ushtruesit të detyrës së ministrit të Ministrisë së Mjedisit dhe Panifikimit Hapsinor, Fatmir Matoshi, me kryeshefat e kompanive rajonale. Takimi u mbajt gjatë muajve të verës.
Se a është bërë pagesa e 20% të borxhit, për lajmi.net u përgjigj drejtori i Departamentit të Ujërave në MMPH, Gani Berisha.
Berisha ka bërë të ditur se marrëveshja u respektua nga të gjitha kompanitë, duke e bërë kështu shlyerjen e borxhit të paraparë.
Ai thotë se nëse nuk do të respektohej marrëveshja, atëherë gjitha kompanive pa dallim do iu revokohej leja.
“Pasi është bërë pagesa e 20% dhe janë plotësuar kushtet tjera me dokumantacion iu janë vazhduar Lejet Ujore të gjitha KRU-ve”, tha ai për lajmi.net.
Ministria edhe njëherë sqaron se nëse do bëhej shlyerja e borxhit atëherë në mënyrë automatike kompanitë do të ngelnin pa Licencë të Operimit.
“Në marrëveshje është e cekur se nëse kompanitë nuk i përmbahen shlyerjes së pagesës sekisteve sipas marrëveshjes, atëher në mënyrë automatike do të u zhvleftësohet vlefshmëria e Lejes Ujore dhe për pasojë rrezikojnë në mënyrë direkte që të ngelen pa Licencë të Operimit”, thuhet në përgjigjen e Berishës.
Vlen të theksohet se marrëveshja u nënshkrua nga kompanitë rajonale të ujësjellësve, “Prishtina”, “IbërLepenci”, “Bifurkacioni”, “Hidromorava”, “Gjakova”, “Hidroregjioni Jugor”, dhe “Hidrodrini”.
Në vitet e ardhshme pritet të bëhet pagimi i borxhit të mbetur, i caktuar për t’u paguar brenda periudhës 4 vjeçare.