Site icon PrishtinaPress

Banka Botërore nuk e mbështet termocentralin ‘Kosova e Re’, MZHE-ja ende nuk i din arsyet

Në fund të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane ‘Contour Global’ për ndërtimin termocentralit ‘Kosova e Re’ me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtojë 1.3 miliard euro.

Të mërkurën përfaqësues të organizatës joqeveritare ‘Balkan Green Foundation’, bënë të ditur se Banka Botërore nuk do të mbështesë termocentralin ‘Kosova e Re’, shkruan lajmi.net.

Presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Jim Yong Kim u shpreh se nuk do të mbështesin një projekt të tillë pasi kërkohet me aktet nënligjore të ndiqen opsionet me kosto më të ulët meqë burimet alternative tani janë nën koston e qymyrit.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik ende nuk i ka të qarta arsyet e sakta për mospërkrahjen e këtij projekti.

“Banka botërore ende nuk e ka publikuar raportin final,ku edhe mund t’i shohim arsyet e mospërkrahjes se projektit”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për lajmi.net.

Tutje, kjo ministri pa përmendur emra thotë se ‘ContourGlobal’ është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Ndërsa ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka deklaroi dje se ndërtimi i Termocentralit ‘Kosova e Re’, siç është komunikuar deri më tani, është projekti më strategjik për vendin dhe zhvillimin ekonomik të saj që nga pas lufta, andaj siguroj që së bashku me investitorin ‘ContourGlobal’, do të punojmë që ky projekt të përfundoj në afat të paraparë.

Ndërtimi i këtij termocentrali pritet të përmirësojë stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, duke i dhënë fund humbjeve prej 415 milionë dollarëve në vit të shkaktuara nga furnizimi i paqëndrueshëm i energjisë në Kosovë.

Exit mobile version