Site icon PrishtinaPress

​Opozita dhe pushteti përplasen për themelimin e komisionit hetimor për rezervat shtetërore

Partitë opozitare dhe partia në pushtet janë përplasur sot (e enjte) në Kuvendin e Kosovës, në lidhje me themelimin e komisionit hetimor parlamentar për rezervat shtetërore. Sipas partive opozitare, nevoja për themelimin e këtij komisioni është e domosdoshme pasi ka dyshime të bazuara për abuzime me rezervat shtetërore, ndërkaq në LVV theksuan se kjo është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, pasi prokuroria veçse është duke hetuar këtë rast.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili është edhe iniciues për themelimin e këtij komisioni, tha se duhet të zbardhen të gjitha dyshimet për keqpërdorime në rezerva shtetërore.

Mirëpo, themelimin e këtij komisioni e vlerësoi të ngutshëm shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Sipas saj, deputetët opozitarë po dëshirojnë të bëhet hetues duke synuar të bëjnë paralelizma me prokurorinë.

Madje ajo ngriti dyshime se edhe propozimi për kryesues të këtij komisioni është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit. Ndërkaq, shtoi se shpenzimet e komisionit shkojnë mbi 20 mijë euro si mëditje të deputetëve, e cila sipas saj shkojnë dyfish më shumë sesa vlera e grurit që mungon.

Por asaj i reagoi iniciuesi i themelimit të komisionit, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha se ky komision nuk ndërhynë në punën e prokurorisë.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se thellimi i këtij komisioni është i domosdoshëm për ta vënë në pah skandalin e ekzekutivit me rezervat shtetërore.

Ai sqaroi se të gjitha procedurat për themelimin e komisionit janë në bazë të Rregullores së Kuvendit, derisa shprehu gatishmërinë që dy deputetë të PDK-së të heqin dorë nga mëditjet në këtë komision.

Të nevojshme themelimin e këtij komisioni e shprehu edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri./KP/

Exit mobile version