Site icon PrishtinaPress

Kosova së shpejti me të dhëna për shkallën e ndotjes së ajrit nga automjetet

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim me agjencinë japoneze “JICA”, zhvilluan fazën e dytë të projektit për zhvillimin e kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë. Qëllimi është që të krijohet një databazë me të dhëna dhe të ndërmerren masa varësisht nga rezultati që del nga matjet.

Zëvendësministri i MMPHI-së, Avni Zogiani, tha se qëllimi i këtij projekti është të hulumtojnë se në çfarë mase të ndotjes së ajrit kontribuon trafiku në përgjithësi.

“Sot jemi duke i parë, duke vizituar disa pajisje, një projekt për fushën e ajrit, një projekt që ka kohë që është zhvilluar nga ministria dhe agjencia japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar, i cili ka për qëllim të kuptojë se në çfarë mase në këtë ndotjen e përgjithshme të ajrit kontribuon trafiku, përkatësisht automjete në trafik. Ato pajisjet që janë të montuara skaj rrugës, ky projekt është bërë në bashkëpunim fantastik me Policinë e Kosovës, natyrisht edhe me departamentet e ministrisë tonë dhe akterë të tjerë. Ne shpresojmë që shumë shpejt do të kemi të dhëna të sakta mbi burimin, mbi atë se çfarë mase janë automjetet kontribuese në mungesën e kualitetit të ajrit në Kosovë”, tha Zogiani.

Zogiani u shpreh se pret që ky projekt të ketë sukses, derisa potencoi se nëse nga të dhënat që sigurohen nga pajisjet matëse del se ka ndotje të madhe, do të propozohet zëvendësimi i automjeteve me karburante në ato elektrike.

“Nëse automjetet janë ndotëse, mund ta supozojmë tashmë, por në çfarë mase do ta kuptojmë shpejtë, ndotës shumë të mëdhenj. Atë herë duhet të marrim politika që të shkojmë kah zëvendësimi i automjeteve me karburante me mjete elektrike, me transport elektrik ose zëvendësimi i makinave individuale me transport publik. Politika të cilat, zakonisht kur ndërmerren kanë nevojë për një data bazë të dhënave e aktualisht ‘JICA’, përkatësisht agjencia japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar është duke na ndihmuar në krijimin e kësaj data baze”, u shpreh Zogiani.

Zogiani tha se makinat të cilat do të detektohen se po ndikojnë në prishjen e kualitetit të ajrit, do t’iu nënshtrohen kontrollit teknik, dhe pas ekzaminimeve do t’iu bëhet më dije ngasësve se ku është problemi i automjetit.

Gjithashtu udhëheqësi i projektit nga agjencioni japonez “JICA”, Kuwahara Fumihiko, tha se kanë në plan të krijojnë data bazën e të dhënave për ndotje.

“Siç e dimë pra automjetet janë ndotës i madh i mjedisit, është supozim. Kështu që plani jonë edhe i projektit është të matë gazrat e shkarkuara nga automjetet në Kosovë. Kosova fatkeqësisht nuk ka të dhëna të mjaftueshme, kështu që projekti e ka për qëllim të krijojë data bazën që e përmendi zëvendësministri…Është qeveria e Kosovës ajo që ka kërkuar asistencën nga qeveria e Japonisë. Kosova është shtet i ri, 15-20 vjet kështu që ka nevojë ende për asistencë, dhe në të njëjtën kohë Japonia e ka pasur të njëjtën përvojë me ndotjen diku 40-50 vjet përpara, kështu që mund t’ia japim ekspertizën tonë qeverisë së Kosovës, për të përmirësuar procedurat administrative”, tha Fumihiko.

Kjo është faza e dytë e këtij projekti nga agjencioni japonez “JICA” që ka filluar prej rreth një viti e gjysmë dhe parashihet të përfundojë në fund të vitit 2025.

Ndërkaq “Projekti për Ngritjen e Kapaciteteve për Menaxhimin e Mbeturinave drejt një Shoqërie të Shëndoshë në Republikën e Kosovës”, i takon fazës së parë, që ka zgjatur rreth pesë vjet./ksp

Exit mobile version