Site icon PrishtinaPress

OJQ-të kërkojnë masa ndaj Bunjaku-Rexhepit për gjuhën e përdorur në Kuvend

Rrjeti i Organizatave për të Drejtat e Njeriut (HRN) ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, që në seancën e radhës të dënojë gjuhën diskriminuese që dje e ka përdorur në seancë plenare deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi ndaj deputetit Adnan Rrustemi.

Në njoftimin e lëshuar nga HRN-ja thuhet se fjala e përdorur nga ligjvënësja është e papranueshme.

“Përgjatë seancës së djeshme, gjatë një diskutimi për financat publike, deputetja e LDK-së, Bunjaku-Rexhepi, me qëllim të nënçmimit të deputetit Adnan Rrustemi, përdor fjalën “magjup” ndaj ti. Gjuha pezhorative e përdorur në Kuvendin e Kosovës dje, shpërfaq një qasje ofenduese, fyese dhe poshtëruese të deputetes ndaj komuniteteve jo-shumicë në Kosovë dhe një qasje e tillë është jo vetëm e papranueshme, por edhe e dëmshme kur bëhet pjesë e diskursit publik nga përfaqësues të popullit”, thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se ka munguar reagimi i deputetëve të tjerë në sallë, por edhe i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës.

“Për më tepër, praktika të tilla të përdorimit të gjuhës diskriminuese dhe përhapjes së urrejtjes nga foltorja e Kuvendit të Kosovës janë bërë të shpeshta dhe një praktikë e tillë është e rrezikshme dhe ka një efekt afatgjatë në cenimin e dinjitetit dhe integritetit tek komunitetet e margjinalizuara në Kosovë si dhe mund të shkaktojë margjinalizim të mëtejshëm të grupeve ose individëve të caktuar”.

“HRN i bën thirrje kryeparlamentarit Glauk Konjufca që në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës të dënoj gjuhën diskriminuese të përdorur në Kuvendin e Kosovës, të marr masa administrative ndaj deputetes në fjalë sipas asaj që e përcakton rregullorja e punës së Kuvendit dhe njëkohësisht të bën thirrje për ndërgjegjësim për të gjithë deputetët që të ndalojnë diskriminimin, gjuhën e urrejtjes dhe racizmin ndaj komuniteteve jo-shumicë dhe qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version