Site icon PrishtinaPress

Nga MPJ i kundërpërgjigjen OKB-së për zyrtarin e UNMIK-ut të shpallur “non grata”

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka ardhur një ‘replikë’ pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara e cilësoi të pazbatueshëm vendimin për ta shpallur “non grata” zyrtarin rus të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Sharr Jakupi, shef i stafit në MPJD, ka shkruar se kjo ministri të premtën e ka njoftuar UNMIK-un për vendimin.

“UNMIK-u është njoftuar nga MPJD të premten, më 31 dhjetor 2021, se një nga zyrtarët e tyre ishte shpallur persona non-grata”, shkroi Jakupi në Twitter.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric e ka lëshuar sot një deklaratë zyrtare, ku thuhet se UNMIK-u s’ka pranuar asnjë komunikim zyrtar nga institucionet e Kosovës për shpalljen “non grata” të zyrtarit rus.

OKB-ja e konsideroi të pazbatueshëm vendimin e Kosovës.

“Jemi vënë në dijeni për shpalljen ‘persona non granata’ të një anëtari të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut. Nuk është pranuar asnjë komunikim te Misioni nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thuhet në deklaratë.

Çdo çështje në lidhje me personelin e UNMIK-ut, sipas OKB-së, duhet t’i adresohet këtij Misioni që ta trajtojë vetë.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të premten e ka shpallur “non grata” një zyrtar rus të misionit të UNMIK-ut.

“Sot, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka shpallur person non grata një zyrtar rus të UNMIK-ut me zyrë në Prishtinë. Kosova qëndron me aleatët e saj për të vepruar kundër veprimeve të dëmshme që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe rendin kushtetues”, u tha në njoftimin e MPJD-së.

Një zyrtar ndërkombëtar brenda UNMIK-ut, me inicialet P.T. ka bërë të ditur se zyrtari rus i UNMIK-ut, Andrey Nikolaevich Antonov, i cili u shpall “non grata” nga Republika e Kosovës, ka qenë i ngarkuar me punë në degën e UNMIK-ut në Mitrovicën Veriore dhe po ushtronte presion mbi strukturat politike serbe për të ndërmarrë veprime radikale.

Exit mobile version