Site icon PrishtinaPress

Nga data 4 maj lehtësohen procedurat për riatdhesimin e qytetarëve shqiptarë të bllokuar jashtë kufijve

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku shpjegoi sot sistemin e ri që do të përdoret për riatdhesimet, duke nisur nga data 4 maj dhe hapat që duhet të ndjekin qytetarët.

“Plani i masave lehtësuese të shpallura nga Qeveria Shqiptare ka ndikuar edhe në ndryshimin e sistemit të riatdhesimit për qytetarët shqiptarë që janë bllokuar jashtë kufijve”, theksoi ajo.

Sipas Ballukut, të gjithë qytetarët shqiptarë që duan të rikthehen në atdhe nga data 4 maj duhet të qasen për rezervim të biletës në faqen e kompanisë ajrore “Air Albania”.

Balluku tha se qytetarët shqiptarë duhet që krahas rezervimit të biletës të deklarojnë adresën e banimit, pasi të gjithë ata qytetarë shqiptarë që deklarojnë se banojnë në zonat e shpallura të “gjelbërta” do të duhet të karantinohen në hotelet e përshtatura si struktura karantinuese COVID-19.

Ndërkohë, tha ajo, ata që deklarojnë se banojnë në zonat e “kuqe” do të duhet të karantinohen në banesat e tyre me përgjegjësi të plotë dhe të monitoruar nga Policia e Shtetit.

“Nuk është më i nevojshëm prenotimi i hotelit në fillim, pasi qytetarët që do të deklarojnë se banojnë në zonat e ‘gjelbërta’ do të kalsifikohen menjëherë për karantimin në strukturat karantinuese. Gjatë udhëtimit tuaj në bordin e “Air Albania”, ju do të keni një formular, ku me përgjegjësi të plotë ligjore,do të shkruani edhe një herë adresën tuaj të banimit dhe më pas do ta firmosni. Ky formular ju ngarkon ju me përgjegjësi ligjore dhe në rast të deklarimit të rreme do të aplikohen masat ligjore sipas legjislacionit në fuqi”, deklaroi ministrja Balluku.

Sipas Ballukut, udhëtarët do të ndahen në dy grupe në Aeroport.

“Banorët e zonave të “gjelbërta” do të dërgohen me autobus të vënë në dispozicion në strukturat karantinuese. Ata, ashtu si edhe në rastet e mëparshme do të duhet të mbulojnë vetëm shpenzimet ushqimore prej 7 eurosh në ditë, ndërsa shpenzimet për shërbim dhe akomodim prej 14 euro do të mbulohen nga shteti shqiptar”, u shpreh ministrja.

Banorët e zonave të “kuqe”, theksoi ajo, do të udhëtojnë në banesat e tyre për tu vetkarantinuar së bashku me të gjithë familjen e tyre për 14 ditë.

“Në rast se dikush nga banorët e zonave të kuqe dëshiron të vendoset në hotel, për të mos penguar vazhdimësinë në kushtet e lehtësuara tashmë në familjen e tij, mjafton ta deklarojë këtë gjatë plotësimit të formularit në avion, ose gjatë procesit të rezervimit të biletës”, bëri të ditur Balluku.

Balluku tha se nga data 18 prill e deri tani kemi riatdhesaur më shumë se 2,500 qytetarë shqiptarë nga mbarë bota.

“Kemi luftuar këto javë. Ja kemi dalë jo vetëm për shkak të impenjimit të qeverisë e strukturave të saj, por edhe sepse ju keni treguar sjellje qytetare ndaj çdo mase të marrë për parandalimin e kësaj pandemie”, deklaroi ministrja. /ATSH/

Exit mobile version