Site icon PrishtinaPress

Nënshkruhet memorandumi për taksat ujore

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka nënshkruar memorandume të bashkëpunimit me 9 kompanitë rajonale të ujësjellësit, për pagesën e taksës ujore që për 10 vite ka mbetur pa e paguar.

Qëllimi i këtyre marrëveshjeve është programimi dhe shlyerja e borxhit të akumuluar prej vitit 2007–2017 nga kompanitë.

Sipas ushtruesit të detyrës së MMPH-së, Fatmir Matoshi, këto marrëveshje do të mundësojnë që qytetarët të gëzojnë një nga të drejtat elementare, atë të qasjes në ujë të pijshëm.

“Si MMPH jemi të interesuar që të gjithë ata që shfrytëzojnë burimet ujore të  përmbushin obligimet e tyre ligjore, por njëkohësisht jemi për t’iu ndihmuar atyre që të zhvillojnë kapacitetet e tyre për shtrirje të rrjetit  dhe mirëmbajtjes. Andaj kjo marrëveshje në mënyrën siç është bërë nuk i dëmton këto kompani dhe njëkohësisht mundëson zbatimin e udhëzimit administrativ mbi taksen ujore që duhet të paguajnë KRU-të”, ka thënë Matoshi.

Matoshi ka thënë se KRU në afat prej 5 viteve do të paguajnë borxhin që kanë ndaj MMPH-së prej mbi 1.5 milion euro.

“Sipas këtyre marrëveshjeve që kemi bërë Kompanitë rajonale të Ujësjellësit (KRU) në aftat prej 5 vitesh do të paguajnë borxhin që kanë ndaj MMPH-së prej 1.585.654.370 euro duke filluar në muajin shtator 2018 me 20 për qind për të vazhduar edhe katër vite të tjera, me nga 20 për qind të pagesës”, tha ushtruesi i detyrës së MMPH-së.

Ilir Abdullahu, kryeshef i kompanisë rajonale ‘Prishtina’ ka thënë se arsyet e mos pagesës se borxhit afro gjysmë milioni ndaj MMPH-së ka qenë në mobilizim me investime të mëdha,

“Pse nuk është paguar deri më tani është se ka pasur rrethana të ndryshme me kompanitë e viteve më parë, qe kanë qenë në mobilizim me investime të mëdha dhe kështu që kjo takse është e mirë që po paguhet, e kaluara do të jetë një histori dhe nuk do të përsëritet. Ne si kompani e Prishtinës kemi afër gjysmë milion, dhe do të fillojmë ta paguajmë me këste”,  ka thënë ai.

Exit mobile version