Site icon PrishtinaPress

Në komunat me shumicë serbe në Kosovë, 33 të infektuar me coronavirus

Në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, deri më 6 prill, janë shënuar 33 pacientë të infektuar me coronavirus, prej të cilëve 32 janë nga komunat në veri të vendit.

Aleksandar Antonijeviq nga Departamenti i Shëndetit Publik në Mitrovicë të Veriut, ka thënë në një konferencë për media që situata është gjithnjë më e rëndë.

Tre pacientë sipas tij, janë dërguar për mjekim të mëtejmë në Nish, dy të tjerë në Beograd, ndërkaq tetë pacientë janë në Repartin Infektiv të Qendrës klinike sipitalore në Mitovicë të Veriut. Pacientët tjerë, me pasqyrë më të lehtë klinike janë vendosur në Qendrën e studentëve në Mitrovicën e Veriut.

Kryetari i Shtabit të krizës në Mitrovicën e Veriut, Aleksandar Spiriq, ka thënë që në hyrje të Qendrës klinike spitalore do të instalohet një objekt i montuar për të marrë mostrat e pacientëve me qëllim të ruajtjes së sistemit shëndetësor.

Spiriq ka konfirmuar se Mitrovica e Veriut dhe Zveçani janë në karantinë, e që sipas tij, “kjo do të thotë që pa pasur detyrime të drejtpërdrejta nuk ka nevojë të shkohet në Zveçan dhe anasjelltas”.

Më herët, Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë që Mitrovica e Veriut dhe Zveçani nuk janë një zonë e vetme e karantinës.

“Ajo ka qenë një zonë dhe ishte lënë mundësia që njerëzit të lëvizin ndërmjet dy komunave. Por kjo nuk funksinon, sepse të gjithë nga Zveçani dëshirojnë të vijnë në Mitrovicë dhe të gjithë nga Mitrovica në Zveçan. Kur e gjithë kjo të përzihet, krijohet problemi”, tha Hoti duke shtuar se shtabet e krizave kanë kërkuar që komunat të mbyllen.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Srgjan Vuloviq ka bërë të ditur që dy persona nga kjo komunë kanë dalë pozitivë me koronavirus, ndërkaq që në izolim shtëpiak gjenden anëtarët e familjeve të tyre.

Ai ka paralajmëruar se nga dita e martë, në Shtëpinë e shëndetit në Zubin Potok, do të nisë testimi i personave që kanë simptoma të koronavoirusit. Vuloviq ka shtuar që vendbanimi i studentëve në Zubin Potok është përgatitur për pranimin e pacientëve të infektuar me coronavirus dhe se disponon me 60 shtretër.

Deri më tash, sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, të infektuar me coronavirus janë 145 persona, prej të cilëve 23 janë shëruar, ndërkaq që 3 persona kanë vdekur.

Exit mobile version