Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar historinë e dhimbshme të burrit 59-vjeçar, i cili vdiq sot në Klinikën Infektive, e që ishte e infektuar me coronavirus.
Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se S.N. në gjendje të rëndë sociale kishte jetuar për vite të tëra në kontejner në Fushën e Pajtimit në Prishtinë.
“Nuk kishte familjarë dhe me sëmundje të rënda kronike. Në vitin 2015 nevojiteshin negociata për t’i larguar ato familje nga kontejnerët. Edhe pse premtonim pagesën e qerasë, familjet në gjendje të rëndë frikoheshin ta lenin kontejnerin e vetë për një banesë me qira duke mos ju besuar institucioneve”, ka shkruar Ahmeti.
“Që atë vit, S.N. e kemi vendos në banesë me qera në Prishtinë. Pacient i rregullt i urgjencës dhe qendrave tona të mjekësisë familjare. Disa miq, dhe kojshitë i dërgonin edhe ushqim dhe kujdeseshin për të. Kështu ndodhi edhe javën e kaluar kur njëri prej kojshive na lajmëroi që pacienti ishte keq dhe se ka nevojë për ndihmë. gjatë kësaj periudhe ekipet tona kanë vizituar S.N. disa herë për shkak të sëmundjeve kronike”, ka shkruar Ahmeti.
“Edhe pse nuk kishte simptoma të virusit, megjithatë mjekët vendosen që ta testojnë. Doli pozitiv testi. Sot në mëngjes, S.N. ndërroi jetë në Klinikën Infektive nga komplikimet nga sëmundjet. Janë marr të gjitha masat e protokollit”.
Ahmeti thotë se ky status i tij në Facebook, nuk ishte vetëm për të ju kujtuar rreziqet nga virusi.”Ky status ishte për ta kujtuar një qytetar të Prishtinës, i cili kisht e jetë të vështirë, shumë më të vështirë se sa që të gjithë ne mund ta imagjinojmë. Me sëmundje, pa të ardhura, pa familje. Meqenëse ka pak njerëz që mund ta kujtojnë, e edhe më pak njerëz që mund ta varrosin, ta kujtojmë të gjithë së bashku, e me këtë edhe të mendojmë për virusin, por edhe më shumë për solidaritetin. U prehtë në paqe!”, ka shkruar kreu i Prishtinës.
Dy pacientë të prekur nga coronavirusi kanë vdekur të hënën, duke çuar kështu në tre numrin e viktimave nga kjo pandemi në Kosovë.