Site icon PrishtinaPress

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe e Holandës mbajnë konsultime politike

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD), ka njoftuar se nën drejtimin e zëvendësministrit Kreshnik Ahmeti dhe zëvendësministres Anita van den Ende, dje në Hagë, janë mbajtur konsultimet politike mes Ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja shteteve.

“Përgjatë konsultimeve u vlerësua ngritja e ndërveprimit ekonomik dhe tregtar mes ekonomive të të dyja vendeve dhe u shqyrtuan mundësitë për lehtësimin e mëtutjeshëm të këtyre zhvillimeve”- thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Tutje sipas komunikatës, zëvendësministri Ahmeti ka falënderuar zëvendësministren Ende, për mbështetjen e Holandës për mbështetjen Kosovës në kalimin e fazës së parë në Këshillin e Evropës.

“Poashtu, u diskutua edhe për procesin e integrimit të Kosovës në organizata tjera ndërkombëtare. Përveç tjerash, u diskutua edhe për agresionin e paprovokuar të Federatës ruse mbi shtetin e Ukrainës dhe rëndësinë e vendosjes së sanksioneve kundër saj”- thuhet në njoftimin e ministrisë.

Më 24 prill, Kosova ka bërë një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës, kjo pasi që Komiteti i Ministrave mori vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Holanda ishte në mesin e 33 vendeve që votuan pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Exit mobile version