Site icon PrishtinaPress

Ministri Gashi prezanton mineralet e Kosovës në Kanada

Një delegacion i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i kryesuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, po qëndron për një vizitë në Toronto të Kanadasë, për t’i prezantuar resurset minerare të Kosovës në konventën më të madhe të minierave në botë, PDAC 2018.

Gashi i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava, dhe zyrtarët më të lartë të KPMM-së, në ditën e parë të kësaj konvente kanë mbajtur një prezantim para më shumë se 10 kompanive të mëdha, shumica nga Kanadaja, të cilat kanë shprehur interesimin për të investuar në sektorin minerar të Kosovës.

Në fjalimin e tij hyrës, Gashi ka theksuar reformën ligjore në fushën e investimeve strategjike që institucionet e Kosovës janë duke e bërë, për të krijuar klimë sa më të favorshme për investitorët e jashtëm.

“Ne kemi një ligj të avancuar për investime strategjike, ligj ky që mbron investitorin e jashtëm, i tëri në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian”,theksoi Gashi, duke përmendur edhe aplikacionin e parë të një kompanie për t’u kualifikuar si investitor strategjik, me një investim rreth 130 milionë euro në fushën e energjisë së ripërtërishme.

Gashi po ashtu theksoi se tregu kosovar, veçanërisht ai i fushës së minierave dhe mineraleve, është i hapur për botën.

“Presim me padurim ofertat tuaja, ashtu që të përfaqësoni jo vetëm si investitorë, por edhe partnerë në zhvillimin e mëtejshëm të shtetit tonë”.

Gjatë kësaj seance, ministri Lluka prezantoi mundësitë për investime në zonat e veçanta të interesit, si Vllahi, Gumnishtë, Karaçë, Baks, Bresalc, Zhegovcë e Deve, ndërsa ekspertët e KPMM-së, përkatësisht Azem Rexha, anëtar i bordit të KPMM-së, tregoi për detajet e mundësive të eksploatimit të minierave që gjenden në këto zona të interesit.

“Kosova posedon rezervat më të mëdha të linjitit, plumbit dhe zinkut në Evropë. Ju inkurajojmë që të vini të investoni në Kosovë. Ju garantojmë se zyra ime dhe e kolegëve të mi do të jetë gjithmonë e hapur për çfarëdo shqetësimi që mund ta keni. Investimi juaj është i garantuar”, e përmbylli fjalën e tij zv. kryeministri Gashi.

Në seancën për Kosovën, të pranishme ishin kompani edhe nga Kina, Bullgaria, Turqia, Shqipëria, Azerbajxhani dhe Republika Demokratike e Kongos.

Në ditët e ardhshme, Gashi do të ketë takime të nivelit të lartë shtetëror të Ontarios, me komunitetin e bizneseve, si shqiptar në Kanada, edhe atë kanadez, të interesuar për mundësi të investimeve në Kosovë.

Exit mobile version