Site icon PrishtinaPress

Më shumë se 10 të ftuar nga Specialja, së shpejti aktakuzat e para

Aktakuzat e para nga Gjykata Speciale pritet të ngritën gjatë muajve të parë të këtij viti.

Dy vite më parë, Gjykata Speciale u funksionalizua ndërsa në fund të vitit të kaluar u bënë publike disa nga ftesat e para të kësaj gjykate.

Pasi të përfundojnë intervistimet, muajt e ardhëm pritet që kjo gjykatë t’i ngritë aktakuzat e para.

Avokati Tomë Gashi, beson se në muajt e ardhshëm aktakuzat e para do të jenë të ngritura, por ka theksuar se këtë gjë e dinë saktë vetëm prokurori.

“Meqenëse tanimë dihet se janë intervistuar më tepër se ish 10 pjesëtarë të UÇK-së nga Gjykata Speciale, prokurori ka pas të drejtë që të përzgjedh marrjen në pyetje të tyre. Ata të cilët janë ftuar në cilësinë e të dyshuarve ata i ka marrë në pyetje gjatë hetimeve që të ja u jap mundësinë për sqarimet e caktuara nëse i kanë para ngritjes së akuzave.  Unë besoj se brenda disa javëve por jo më larg se disa muaj aktakuzat e para do të jenë të ngritura dhe prokurori është i vetmi person i cili e dinë saktësisht se për kënd do të ngrisë aktakuzë dhe për çfarë vepra penale, edhe pse dihet se këto vepra penale janë jashtëzakonisht të rënda sa që prekin edhe kredibilitetin e shtetit të Kosovës përveç që jashtëzakonisht i dëmtojnë shumë të gjithë shqiptarët kudo që janë, e në veçanti ish pjesëtarët e UÇK-së”, ka thënë Gashi

Sipas Gashit, Gjykata Speciale respektivisht Prokuroria do të ngris aktakuza për ta ruajtur kredibilitetin e saj dhe nuk do të ndalet derisa të hetoj të gjitha ato të dhëna që janë paraqitur në raportin e Dick Martyt.

Tutje, avokati ka deklaruar se ka numër më të madh të të ftuarve përpos atyre që janë bërë publik.

“Ju tashmë po e merrni vesh se persona të caktuar që janë ftuar para dy apo tre muajve vetëm në ditët që po i intervistojnë po i bëjnë publike ftesat e tyre dhe besoj se është çështje personale e secilit se dëshiron ta bëj publike ose jo ftesën nga Gjykata Speciale, por numri i atyre që janë ftuar deri më tani është shumë më i madh se këta 10 persona që përmendëm. Unë besoj se numrin e saktë nuk e dinë askush”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se numri i të intervistuarve varet nga intervista e të tjerëve pasi që lëndët janë të ndërlidhura.

“Numri i të intervistuarve faktikisht varet nga intervista e të tjerëve sepse lëndët janë të ndërlidhura dhe askush nuk është i dyshuar në këtë rast që ka mundur të kryej vepra të caktuara penale që janë përmendur në raportin e senatorit zviceran ‘i vetmuar’ si person apo individ, të gjitha supozimet janë që kanë mund të kryejnë vepra penale në grupe, për atë deri më tani nga shumica e zonave operative të UÇK-së janë ftuar persona të caktuar,është ftuar Rrustem Mustafa – Remi nga Zona Operative e Llapit pastaj janë ftuar disa ish-pjesëtarë dhe komandant të Zonës Operative të Dukagjinit, pastaj e kemi pas Sylejman Selimin nga Zona Operative e Drenicës dhe Sami Lushtakun. Pra Sylejman Selimi i cili është klient i jonë, faktikisht është ftuar edhe në cilësinë e komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe të zonave të tjera”.

Në fund, Gashi ka thënë se së shpejti do të përmbyllet marrja në pyetje e të gjithë individëve nga këto zona operative të UÇK-së.

Christopher Bennett, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit Special nuk ka dhënë detaje rreth ngritjes së aktakuzave të para.

Ai ka thënë se ZPS nuk e diskuton këtë çështje për arsye profesionale.

“ZPS nuk i diskuton akuzat e mundshme për arsye profesionale, ligjore dhe etike. Jemi duke kryer hetimin më të plotë të mundshëm të pretendimeve të përfshira në Raportin e Martyt dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka thënë Bennett

Së fundi nga Specialja për intervistim është ftuar deputeti i AAK-së Lahi Brahimaj, ndërkohë sot ftesë ka marrë edhe nënkryetari i kësaj partie, Blerim Kuçi.

Exit mobile version