Site icon PrishtinaPress

Mbi 230 milionë euro më pak në buxhetin e Kosovës

Mbi 232 milionë euro llogariten të jenë më pak të hyrat buxhetore për këtë vit, si pasojë e pandemisë COVID-19, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, përderisa ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se kjo vlerë do rritet edhe më shumë, nëse vazhdon situata me pandeminë COVID-19.

Rënia e të hyrave buxhetore është shkaktuar nga mungesa e mbledhjes së të hyrave tatimore dhe doganore.

Zhvillimet e pafavorshme në ekonomi janë reflektuar edhe në të hyrat buxhetore, ku gjatë periudhës janar–korrik 2020, të hyrat totale buxhetore kanë shënuar një rënie prej më shumë se 11 për qind apo rreth 120 milionë euro më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, thonë zyrtarë të Ministrisë dhe Financave.

Kjo normë e rënies, sipas tyre, pritet të karakterizojë fundin e vitit 2020 me rreth 232 milionë euro më pak.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020 është 2.3 miliardë euro. Sipas këtij buxheti, Doganat e Kosovë për arkën e shtetit është planifikuar të grumbullojë mbi 1.2 miliard euro, ndërsa Administrata Tatimore e Kosovës rreth 600 milionë euro. Këto janë dy institucione që kontribuojnë më së shumti në buxhetin e Kosovës, por pas gjendjes së krijuar nga pandemia, kanë shënuar rënie në grumbullimin e të hyrave.

Në Administratën Tatimore të Kosovës, pohojnë se të hyrat e mbledhura gjatë këtij viti janë 33 milionë euro më pak, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Nga janari e deri më tani, ATK-ja ka grumbulluar tatime në vlerë prej 302.3 milionë euro. Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rënie për 9.9 për qind apo 33.1 milion euro më pak”, tha për Radion Evropa e Lirë, Valentina Bytyqi–Sefa, udhëheqëse e divizionit për komunikim me media në ATK.

Edhe të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë periudhës janar-gusht 2020, ka pasur rënie të te hyrave në vlerë prej mbi 100 milionë euro.

“Si rezultat i pandemisë, respektivisht si rezultat i uljes së konsumit, kemi pasur edhe efektin e uljes së të hyrave të mbledhura nga Dogana. Vitin e kaluar në këtë periudhë kishim të grumbulluara 760 milionë euro, derisa tani kemi 653 milionë euro”, tha Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion.

Rënia e të hyrave buxhetore do të ketë efekte të mëdha në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, konsiderojnë ekspertë për çështje ekonomike.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se mungesa e mjeteve krijon stagnim dhe ulje të theksuar të aktiviteteve ekonomike, që nuk do reflektojë vetëm në këtë vit, por edhe vitet e ardhshme.

“Prandaj mosribalancimi i buxhetit të Kosovës, respektivisht vonesa në ndarjen e këtyre mjeteve buxhetore për të ndihmuar sektorin privat, ka efekte të shumta negative, jo vetëm në rritjen e shkallës së papunësisë, por edhe në uljen e standardit jetësor të popullsisë. Pastaj, probleme të shumta reflektohen për shkak të zvogëlimit të kërkesës agregate, që në mënyrë multiplikative reflektohet në gjendjen ekonomike të shtetit. Momentalisht, në krahasim me shtetet e rajonit, Republika e Kosovës është më e vonuara në përkrahjen e sektorit privat me mjetet që u janë premtuara gjatë muajve të kaluar”, tha Bektashi.

Për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë të prekura pas përhapjes së pandemisë, Qeveria e Kosovës, në muajin mars ka miratuar Pakon emergjente fiskale në vlerë prej 179.6 milionë eurosh.

Përveç Pakos Emergjente Fiskale, qeveria ka miratuar edhe Pakon për Rimëkëmbjen Ekonomike, në vlerë prej 365 milionë eurosh. Por, ky projektligj nuk ka arritur të votohet në seancën e fundit të mbajtur më 14 gusht në Kuvendin e Kosovës.

Në anën tjetër, Bektashi shprehet se zvogëlimi i të hyrave buxhetore mund të plotësohet me kredi ndërkombëtare, donacione por edhe përkrahje të bizneseve private.

“Mundësitë për të balancuar të hyrat dhe shpenzimet buxhetore mund të jenë të dyllojshme. Së pari, disa aktivitete ose disa investime mund të suspendohen ose mos të zhvillohen në këtë vit, me qëllim që ato mjete të ndahen për sektorët apo për shpenzime më të domosdoshme. Dhe mundësia e dytë është që buxheti të mbushet përmes kredive nga institucionet financiare, emetimit të letrave me vlerë, të emetuara në tregun e vendor apo tregun e jashtëm, me qëllim që të zvogëlojnë këtë mungesë të të hyrave buxhetore”, tha Bektashi.

Ministria e Financave, Hykmete Bajrami, më 28 gusht ka bërë të ditur se Kosova do të ketë mbi 400 milionë euro për të lehtësuar dëmet e shkaktuara nga pandemia.

Kjo shumë është thënë të jetë mbledhur përmes donatorëve të disa projekteve, përkrahjes së buxhetit të Kosovës dhe huave për investime.

Edhe në Kornizën afatmesme të shpenzimeve për vitin 2020-2023, të cilën është duke e rishikuar Qeveria e Kosovës, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, do të jetë në fokus sektori privat, në mënyrë që të ndihmohen bizneset për t’u rikuperuar nga humbjet që i kanë pasur gjatë pandemisë COVID-19.

Përveç mungesës së mjeteve buxhetore prej rreth 232 milionë eurosh që janë shkaktuar nga mungesa e mbledhjes së të hyrave tatimore dhe doganore, dëmet e sakta të tjera ekonomike ende nuk janë të evidentuara.

Por, nga parashikimet e bëra të institucioneve ndërkombëtare dhe ekspertëve, bëhet fjalë për dëme të mëdha.

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtare kanë parashikuar tkurrje të ekonomisë së Kosovës në vitin 2020 për mbi 5 për qind. /REL/

Exit mobile version