Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka marrë vendim për hapjen e konkursit për ndarjen e bursave për vitin akademik 2019/2020 për studentët e Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë.
Sipas njoftimit të bërë nga ministrja në detyrë e MASHTI-t, Hykmete Bajrami, këto bursa ofrojnë një përkrahje të nevojshme financiare për studentët elitarë, prandaj edhe janë në shërbim të avancimit të cilësisë së arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.
“Shpallja e këtij konkursi do të ofrojë përgjigje lidhur me interesimet e shumta të studentëve lidhur me konkursin për bursa të shpallur nga MAShTI në vitin 2019 i cili konkurs ishte përcjellur me polemika dhe protesta dhe i cili ishte anuluar përmes vendimit të datës 08.11.2019”, thuhet në njoftim.
Duke pasur parasysh situatën e krijuar me pandeminë COVID-19, ministrja ka vendosur që të drejtë aplikimi për bursë kanë studentët e të gjitha fushave të cilët i plotësojnë kriteret e përcaktuara përmes udhëzimit administrativ 14/2017 për ndarjen e bursave.
Hapja e konkursit do të bëhet ditëve në vijim dhe studentët do të informohen për afatet dhe kriteret e aplikimit.