Site icon PrishtinaPress

Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit

Vetëm një ditë më parë, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi se grupe terroriste po planifikojnë sulme të tjera në Kosovë gjatë festave të fundvitit, pas atij në kanalin e Ibër-Lepencit.

Por, ushtria e Kosovës është gati t’i përgjigjet çdo kërcënimi. Kështu pretendon ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili në një intervistë për A2 CNN, foli për fuqizim të konsiderueshëm të forcave të sigurisë.

Sipas tij, armët e sofistikuara të blera rishtazi nga ShBA-ja, Turqia por edhe Gjermania, kanë rritur ndjeshëm kapacitetet.

“Kemi pasur trefishim të buxhetit për ushtrinë gjatë këtij mandati dhe kemi arritur të blejmë drone Bajraktar dhe sisteme të tjera shumë të rëndësishme. Raketat Javelin janë shumë të rëndësishme për mbrojtjen ndaj tankeve. Shpresojmë që t’i kemi që në vitin 2025”, deklaroi Maqedonci.

Sipas ministrit, “raketat Javelin nuk lejojnë depërtimin e mjeteve të blinduara dhe tankeve brenda territorit”.

Teksa deklaroi se për momentin do t’i përmbahen zotimit të dhënë në vitin 2013 për të mos dërguar ushtrinë në veri, Maqedonci theksoi se çështja do të shqyrtohej në të ardhmen.

Exit mobile version