Site icon PrishtinaPress

Malazezët e Kosovës përkrahin Thaçin në krye të bisedimeve me Serbinë

Shoqata e Malazezëve të Kosovës i është bashkuar debatit të ngjallur së fundi lidhur me kredibilitetin e Presidentit Hashim Thaçi për ta udhëhequr dialogun me Serbinë.

Sipas kësaj shoqate, Thaçi është personi më kompetent për ta drejtuar dialogun e Brukselit.

“Presidenti Hashim Thaçi, si president i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe si personalitet me përvojë të cilën e ka arritur në procese të vështira bisedimesh, është sigurisht personi me kompetent dhe kredibil të udhëheqë bisedimet me Serbinë. Janë të pakuptueshme kritikat e disa partive politike shqiptare të opozitës, të cilat e kundërshtojnë udhëheqjen e bisedimeve nga Hashim Thaçi. Animoziteti personal dhe interesi politik duhet të përjashtohen në këtë rast, sepse nga ecuria e këtyre bisedimeve varet e ardhmja jo vetëm e serbëve dhe shqiptarëve, por e ardhmja e gjithë Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se ata kanë besim që bisedimet do të mbyllen me nënshkrimin e marrëveshjes ligjore në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

“Me këtë marrëveshje do t’i vihet pika urrejtjes shekullore në mes serbëve e shqiptarëve, e cila ka sjellë luftë, ndarje e vuajtje pothuajse në secilën shtëpi. Është koha që kësaj t’i vijë fundi dhe së bashku me shqiptarët e serbët të ndërtojmë të gjithë një të ardhme prosperuese për ne dhe fëmijët tanë”, përfundon reagimi.

Exit mobile version