Site icon PrishtinaPress

Instituti Albanologjik s’e lejon shtatoren e Anton Çettës në oborr

Për udhëheqësit e Institutit Albanologjik të Kosovës, oborri i këtij institucioni nuk është vend adekuat për shtatoren e Anton Çettës.

Sipas tyre, për një figurë si ajo e Çettës, shtatorja do të duhej të vendosej në ndonjë shesh të madh të qytetit, i cili do të pagëzohej edhe me emrin e mbledhësit të folklorit e udhëheqësit të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në fillim të viteve ’90. Me këtë arsyetim, Instituti Albanologjik i Prishtinës ka refuzuar kërkesën për vendosjen e shtatores së Çettës në oborrin e vet, duke dhënë propozime për një vend më të madh për shkak të rolit historik që ka pasur Lëvizja e drejtuar nga Çetta. 

Këtë IAP-ja e ka bërë nëpërmjet një përgjigjeje zyrtare ndaj kërkesës së Këshillit Organizativ, i cili ka dy vjet që merret me kërkesën për hapësirën, ku do të zinte vend figura e Çettës e derdhur në bronz.

IAP-së i janë dashur tre muaj e gjysmë për të përgatitur një përgjigje prej një faqeje. Por pavarësisht kësaj, Këshilli Organizativ për ngritjen e shtatores nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga hapësira para IAP-së, e boceta për shtatore është përzgjedhur qysh në maj të këtij viti.

“Këshilli Drejtues afirmon qëndrimin e Institutit Albanologjik të vitit 2010, duke konsideruar se, për shkak të rolit historik që ka pasur Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve dhe në mënyrë të veçantë prof. Anton Çetta, vendosja e shtatores së tij do të duhej të bëhej në një shesh të madh të qytetit, i cili njëkohshëm do të pagëzohej me emrin sheshi i pajtimit ‘Anton Çetta’ dhe do të kishte infrastrukturë përcjellëse (fontanë, banka për pushim)”, shkruhet në përgjigjen e IAP-së të nënshkruar nga drejtori i këtij institucioni, Hysen Matoshi.

Exit mobile version