Site icon PrishtinaPress

LVV për takimin në Bruksel: Kosova u përfaqësua nga një Qeveri pa legjitimitet dhe pa platformë në dialog

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se takimi i djeshëm në Bruksel, nga ana kosovare u përfaqësua nga një Qeveri pa legjitimitet, por edhe e çorientuar, pasi sipas tyre ka mungesë të një platforme për dialog.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ndër të tjera, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe vartësit e tij duken të papërgatitur për këtë dialog.

Kryeziu tha se rifillimi me nguti dhe me prioritet i dialogut, në kohën kur menaxhimi me pandeminë duhet të jetë prioriteti i pashoq edhe i pakontestueshëm është shqetësues.

Përveç kësaj, sipas Kryeziut, Hoti dhe vartësit e tij duken aspak të përgatitur për atë se çfarë vet po e vlerësojnë si fazën përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi.

“Republika e Kosovës, në takimin e djeshëm u përfaqësua nga një qeveri pa legjitimitet e çorientuar në mungesë të një platforme për dialog; e dobët në raport me palën serbe duke qenë pa mbështetje të gjerë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe në të njëjtën kohë e varur aty nga një instrument i Serbisë siç është Lista Serbe; dhe të nënshtruar për shkak të konsensioneve tashmë të mëdha që në fazën paranegociuese duke qenë se ka heq dorë nga parimi i reciprocitetit dhe përpjekjet për fuqizim të shtetësisë së Kosovës përmes anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Për më tepër, ky proces po vazhdon të përshkohet me mungesë të transparencës mbi agjendën paraprake të takimeve dhe përfundimeve pas tyre”, tha Kryeziu për Telegrafin.

I pyetur nëse Lëvizja Vetëvendosje do të përkrahë në Kuvend marrëveshjet e mundshme që mund të nënshkruhen nga kryeministri aktual i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kryeziu tha se nuk besojnë që do të arrihet ndonjë marrëveshje nga kjo qeveri.

“Ne nuk besojmë as nuk presim që kjo qeveri, me këtë udhëheqje dhe me këtë përbërje, e cila varet nga secila votë e Listës Serbe dhe qe nuk përfaqëson vullnetin qytetarë por as mbështetje popullore mund të arrijë ndonjë marrëveshje, aq më pak marrëveshje në dobi të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se konsiderojnë se dialogu po zhvillohet pa platformë, dhe se sipas tyre, Hoti nuk ka as kredibilitet e as legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën në këtë proces.

“Ne konsiderojmë që ai dialog po zhvillohet pa platformë, zotëri Hoti ende nuk ka prezantuar para qytetarëve se për çfarë tema po bisedohet atje. I gjithë ai takim që ndodhi na bërë me dije vetëm një gjë, fakti që zotëri Hoti është i aftë të flet gjuhën serbe, nuk kuptuam diçka tjetër çka është biseduar aty. Gjithsesi Lëvizja Vetëvendosje do të përcjell me kujdes tërë këtë provës të bisedimeve dhe dialogut. Konsiderojmë që zotëri Hoti nuk ka as kredibilitetin dhe legjitimitetin për të përfaqësuar palën, pra institucionet dhe republikën e Kosovës në këtë proces mjaft të rëndësishëm dhe delikat”, tha ai.

Në Bruksel gjatë të enjtes është zhvilluar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është shënuar progres në kuadër të dialogut, teksa përmendi dy tema që janë diskutuar gjatë bisedimeve: çështja e të pagjeturve dhe zhvillimi ekonomik.

“Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezentu në këtë takim dhe nuk do të lëviz asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”, tha Hoti duke shtuar se i gjithë procesi do të marrë disa javë ose muaj, por jo më shumë.

“Jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”, tha Hoti.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin nuk kanë qenë të lehta. Ai theksoi se në këtë raund të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në Bruksel, është diskutuar për temën e personave të zhdukur dhe të zhvendosur brenda vendit si dhe ekonominë.

“Bisedimet do të vazhdojnë në nivelin teknik të mërkurën”, ka thënë Vuçiq, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një raund të ri bisedimesh të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, në fillim të muajit shtator.

Ai tha se për këtë janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve që kanë pasur të enjten në Bruksel, ndërsa e konfirmoi se bisedimet janë fokusuar në çështjen e personave të pagjetur dhe të zhvendosur si dhe zhvillimin ekonomik.

Ai tha se të dyja vendet duhet të punojnë ngushtë me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar për të zgjidhur çështjen e personave të pagjetur.

“Jam i kënaqur që pas prezantimit fillestar të qëndrimeve të dy liderët janë pajtuar që dialogu të vazhdojë në nivel të ekspertëve gjatë javës së ardhshme këtu në Bruksel”, tha Lajçak.

Ky ishte takimi i parë i drejtpërdrejtë i përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të Brukselit, pas më se 20 muajsh.

Exit mobile version