Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar sot 27-vjetorin e rënies së heronjve Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, duke theksuar sakrificën dhe përkushtimin e tyre në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci shkroi:
“27 vjet dhimbje e krenari, Feha e Xheva, bashkë në jetë, bashkë në përjetësi. Ata na udhëzuan se cila ishte rruga e lirisë, rruga e fitores, rruga e nderit me përkushtimin e pathyeshëm atdhetar. Vitet, dekadat dhe shekujt do të rrjedhin, ndërsa liria jonë do të matet me flijimin epik që ia dhuruan kombit. Idealet e tyre jetësohen me punë të ndershme, fuqizimin e shtetit e barazi para ligjit. Më 22 shtator 1998, me Fehën dhe Xhevën, rrugën e përjetësisë e morën Fatimja, Shefqeti, Behxheti, Milazimi dhe Hamiti.”
Në këtë përvjetor, ai ka përmendur edhe bashkëluftëtarët që ranë atë ditë, duke nderuar veprën e tyre:
“Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi jetës dhe veprës heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Fatime Hetemit, Shefqet Zekës, Behxhet Karaxhës, Milazim Karaxhës dhe Hamit Lladrovcit! Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!”
Fehmi dhe Xhevë Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998 gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, duke mbetur përjetësisht simbol i qëndresës, guximit dhe dashurisë për atdheun.





