Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka zhvilluar një takim konsultativ me qytetarët, ku ka folur për angazhimet rreth projekteve në vijim dhe të ardhmes në Drenas.
Në takim u diskutua për ecurinë dhe punën e deritashme që komuna ka zhvilluar në Drenas me investimet kapitale si dhe për nevojat tjera të qytetit që ngrisin mirëqenien e tyre, njofton PDK.
Lladrovci u zotua se do të finalizojë projektet e filluara dhe u përqendrua tek investimet tjera që janë të domosdoshme edhe për zhvillimin e qendrës së qytetit, bën të ditur një komunikatë nga PDK.
“Projektet e filluara do të finalizohen sipas planit, do të angazhohemi që ato të mos jenë të vetmet për këto dy pjesë të qytetit. Shtrati i lumit Drenica është punë emergjente për të evituar vërshimet në komunë. Gjatë këtij viti, do të rregullohet shtrati i lumit deri te “Gjimnazi” kurse vitin e ardhshëm pjesa që i takon qytetit të Drenasit, punë e cila shton sigurinë e qytetarëve në zonat afër lumit”, citohet të ketë thënë Lladrovci.
Në takimin konsultativ u diskutua edhe për çështjet e lidhura me planin rregullues të qytetit, gjendjen në arsim dhe subvencionet.