Gjykata e Apelit e Kosovës ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj Fadil Zogajt dhe Ekrem Selimit, të arrestuar nën dyshimin për sulm ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi.
Sipas vendimit të gjykatës, masa e paraburgimit është ndërprerë sipas detyrës zyrtare, ndërsa është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i dy të pandehurve.
Zogaj dhe Selimi dyshoheshin për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar në bashkëkryerje”, sipas nenit 402, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Vendimi për ndërprerjen e paraburgimit është marrë pasi gjykata ka vlerësuar se rrethanat juridike dhe faktike kanë ndryshuar. Në arsyetimin e saj, ajo ka marrë parasysh faktin se protesta gjatë së cilës kishte ndodhur incidenti tashmë kishte përfunduar dhe se të dyshuarit ishin marrë në pyetje nga Prokurori i Shtetit.
Bazuar në këto rrethana, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se nuk ekziston më bazë ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Ndërprerja e paraburgimit nuk nënkupton përfundimin e procedurës penale apo shpalljen e tyre të pafajshëm, por vetëm heqjen e masës së sigurisë ndaj dy të pandehurve.





