Ligji për Specialen | Demaku: Nga ky ligj PDK-ja nuk përfiton asgjë, përfitojnë qytetarët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fadil Demaku, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e trajton gabim situatën e krijuar në vend pas aktgjykimit dënues të Hagës ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

I ftuar në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Demaku iu përgjigj edhe kryeparlamentares Albulena Haxhiu, e cila kishte deklaruar se Vetëvendosja nuk synon koalicion me PDK-në. Sipas tij, ndjenja është e ndërsjellë.

“Ne i kemi qëndrimet e tyre që çdo ditë e thonë se nuk duan koalicion me PDK-në. Edhe ne u themi se nuk duam asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje”, deklaroi Demaku.

Megjithatë, ai u shpreh se mungesa e një koalicioni nuk duhet të pengojë bashkëpunimin për çështje që ai i cilësoi me interes kombëtar. Si hap të parë, Demaku propozoi një marrëveshje politike që do t’i hapte rrugë miratimit të shpejtë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa zgjedhja e presidentit do të trajtohej më pas.

“Ligji të procedohet sa më shpejt, sepse është nevojë urgjente për Kosovën, dhe pastaj çështja e presidentit”, tha ai.

Deputeti i PDK-së e kundërshtoi idenë që partia e tij të vihet para kushteve, duke kujtuar se përgjegjësia për ligjin bie mbi shumicën qeverisëse.

“Mos të na kushtëzojnë, sepse ligji nuk është obligim për PDK-në, por në radhë të parë për ata që i kanë numrat dhe që kanë përgjegjësi shtetërore”, u shpreh Demaku.

“Këtu PDK-ja nuk përfiton asgjë. Përfitojnë qytetarët e Kosovës”, shtoi ai.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img