E vdekja e Hilmi Haradinajt ka pikëlluar edhe udhëheqësit e institucioneve në vend.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi e ka vlerësuar lartë kontributin e babit të kryeministrit Haradinaj.
“Me dhimbje të madhe mora lajmin për ndarjen nga jeta të bacës Hilmi. Ishte një burrë i urtë, i matur dhe atdhetar i devotshëm, që Kosovës i dha shumë. Baca Hilmi përballoi shumë sfida në jetë. Ngushëllimet më të sinqerta kryeministrit Haradinaj, familjarëve dhe gjithë miqve të tyre. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, ka shkruar presidenti në facebook.
Fjalë të mëdha për Hilmi Haradinajn shkroi edhe zv/kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Ai i shprehu ngushëllime të gjithëve për vdekjen e tij.
“Baca Hilmi dha gjithçka për Kosovën. Ai sot nuk është në mesin tonë, fizikisht, por kujtimi i tij do të jetë i paharruar. Ngushëllimet e mia më të thella familjes Haradinaj, Gllogjanit dhe tërë Kosovës!”, ka shkruar Pacolli në facebook.
Edhe Fatmir Limaj shprehu zhgënjimin e tij pas këtij rasti. Ai e vlerësoi Hilmi Haradinajn si burrë me vlera të mëdha.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për vdekjen e babait të heronjve të Kosovës, Luan e Shkelzen Haradinajt, bacës Hilmi. Në emër të Nismës Socialdemokrate dhe në emrin tim personal i shpreh ngushëllimet më të sinqerta kryministrit Haradinaj, familjes dhe gjithë miqve të bacës Hilmi! Bacën Hilmi do ta kujtojmë gjithmonë si një burrë të urtë, i cili i dha shumë Kosovës”, shkroi në faceboo Limaj.
Të pikëlluar me vdekjen e babait të kryeministrit janë shprehur edhe deputetë e zyrtarë të lartë të AAK-së.
Ahmet Isufi, Muharrem Nitaj, Teuta Haxhiu, Besnik Tahiri, Smajl Latifi, Bashkim Ramosaj e zyrtarë tjerë të lartë të AAK-së, e kanë cilësuar vdekjen e Hilmi Haradinajt si humbje të madhe për Kosovën.