Site icon PrishtinaPress

Lekaj: Hoti duhet ta pranojë kërkesën tonë për pezullim të dialogut

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se i gjithë spektri politik i Kosovës duhet të unifikohet përballë Gjykatës Speciale.

Lekaj, duke folur për paraqitjet e para në Dhomat e Specializuara të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, ka thënë se kjo Gjykatë është e dëmshme.

“Ne si AAK nuk e kemi votuar këtë Gjykatë, sepse e konsiderojmë të dëmshme. Kur e kemi vërejetur se ligji për Gjykatën është tendencioz, ne si AAK kemi dalë kundër, prandaj formimi i kësaj Gjykatë ka qenë gabim i madh”, ka thënë Lekaj.

Sipas tij, meqë Gjykata Speciale tash është fakt i kryer, Kosovës i duhet unitet që të përballet me këtë institucion.

“Luftëtëtarët e UÇK-së nga procesi gjyqësor në Hagë do të marrin certifikatën e pastërtisë. Megjithatë, nëse në Kuvend vije ideja e zhbërjes së kësaj Gjykatë, ne do të votojmë pro”, ka thënë Lekaj, për RTK.

Mirëpo, ai e pranon se në këtë përiudhë është vështirë zhbërja e Speciales.

“Meqë AAK ka qenë kundër dhe nëse dikush i fillon procedurat për zhberje, dihet qëndrimi i AAK-së”.

Ai tutje ka thënë në këtë kohë, dialogu me Serbinë duhet të ndërpritet.

“Ne duhet ta ndalojmë dialogun me Serbinë derisa nuk kemi një qëndrim të përbashkët. Ne i kemi bërë thirrje kryeministrit për suspendimin për një kohë të dialogut me Serbinë. Në ditët në vijim do të sqarohet i tërë procesi, pasi që askush nuk ka të drejt të ulet me Serbinë derisa në Hagë po gjykohen çlirimtarët”, ka thënë Lekaj.

Nëse kjo nuk ndodh, Lekaj thotë se AAK-ja do të shqyrtojë qëndrimin e saj në qeveri.

“Hoti duhet ta merr për bazë qëndrimin e AAK-së, sepse ne jemi partner i qeverisë. Edhe Nisma besoj se ka të njëjtin vendim”, ka thënë ai.

Exit mobile version