Ben Emmerson, avokati mbrojtës i ish-eprori të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se do ta bëjë një kërkesë që Veseli të lirohet deri në fillim të gjykimit.
Emmerson po ashtu ka thënë se Veseli nuk është arrestuar, dhe se ai është dorëzuar në mënyrë vullnetare.
“Do të bëjë një kërkesë që të lirohet deri në fillim të gjykimit. Ndonëse është përmendur që Veseli është arrestuar, ju si Gjykatë duhet të dini se Veseli erdhi në bazë të një marrëveshje që kishte me Prokurorinë. Dorëzimi i tij u bë në mënyrë vullnetare”, pohoi ai.
Ndërsa, në fjalimin e tij Kadri Veseli theksoi se është i pafajshëm për të gjitha akuzat që pretendohen nga Gjykata Speciale.
“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli.
Veseli akuzohet për këto vepra penale si krime lufte që janë: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme si dhe për këto vepra penale që janë krime kundër njerëzimit që janë: përndjekje, burgosje, akte tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë e personave.