Site icon PrishtinaPress

LDK paralajmëron votim të fshehtë për demarkacionin

Deklarimi i deputetit të LDK-së, Adem Salihaj, se një numër i konsiderueshëm i deputetëve të kësaj partie janë të vendosur për të mos e votuar versionin aktual të demarkacionit nuk po i brengos zyrtarët e lartë të kësaj partie.
Sipas tyre, vota është fshehtë dhe ata deputetë të cilët po deklarohen se nuk do ta votojnë demarkacionin ka mundësi qe të votojnë ndryshe.
Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova ka paralajmëruar se për votimin e projektligjit për marrëveshjen kufitare me Malin e Zi mund të përdoret forma e fshehtë e votimit.
“Asnjëherë nuk dihet si do të jetë votimi, sepse ajo është votë e fshehtë. Ka mundësi që ata deputet të cilët kanë thënë se nuk e votojnë, do ta votonin dhe ata që nuk janë deklaruar fare nuk e votojnë. Është diçka për të cilën nuk mund ta garantojë. Një gjë garantoj: LDK e ka qëndrimin e vet politikë të cilin e ka marrë Këshilli i Përgjithshëm i partisë dhe unë jam i prirë më i respektu vendimet e organeve të partisë”, ka thënë Rugova për Indeksonline.
I pyetur nëse LDK po dëshiron votim të fshehtë për demarkacionin, Rugova ka sugjeruar që kjo pyetje t’i bëhet deputetëve e jo atij.
“Unë jam kryetar komunë dhe pjesë e Kryesisë së LDK-së po flas nga ky nivel. Unë jam duke thënë se qëndrimet politike janë këto, mirëpo asnjëherë e nuk bëj presion në asnjë deputet në vullnetin e tij. Çka ndodhë tutje është një çështje tjetër për të cilën partia do të diskutojë përsëri”, ka theksuar Rugova.
E në anën tjetër, Albert Krasniqi nga KDI thotë se praktikat e deritanishme të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare kanë qenë me votim të regjistruar, që përfshinë votimin elektronik. Ku votat e secilit deputet janë publikuar në ueb faqen zyrtare të Kuvendit.
Mirëpo, ai thotë se Rregullorja, parasheh edhe votim të fshehtë, gjë e cila mund të aplikohet në rastin e ratifikimit të Marrëveshjes për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
“Kjo mënyrë e votimit do të mund të ndiqet nga Kuvendi me arsyetimin për të shmangur presionin ndaj deputetëve nëse votojnë pro kësaj marrëveshje. E që në esencë besoj që do të bëhet për të siguruar votat nga deputetët me anë të favoreve ndaj tyre”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline.
Njohësit e rrethanave politike dhe përfaqësuesit e opozitës e kanë kundërshtuar idenë që votimi i projektligjit për demarkacionin të bëhet në mënyre të fshehtë

Exit mobile version