Site icon PrishtinaPress

LDK nuk ia jep VV-së nënshkrimet për formimin e komisionit parlamentar për hetimin e SHIK-ut

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kishte përmendur para disa ditesh që do të nisë një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve për formimin e një komisioni Hetues Parlamentar për të hetuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).

Për t’u themeluar ky komision duhen mbledhur 40 nënshkrime, që, Vetëvendosje pretendon t’i ketë nga partitë tjera. Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje ka thënë për lajmi.net se deri më tani kanë mbledhur 31 nënshkrime.

“Ne kemi nisur mbledhjen e nënshkrimeve për Komisionin Hetimor për SHIK-un dhe deri më tani i kemi 31 nënshkrime do të thotë na duhen edhe nëntë nënshkrime. Po ashtu jemi duke bisedua edhe me deputetët e opozitës pasi që nuk kemi parë gatishmëri nga Grupi Parlamentar i LDK-së për të dhënë nënshkrime. Dhe, është e pakuptimtë se si GP i LDK-së nuk i jep nënshkrimet për hetimin e SHIK-ut ani pse ata kanë pasur akuza të mëdha në drejtim të SHIK-ut por duket nuk e ka pasur seriozisht për të hetuar SHIK-un”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se edhe nëse nuk munden që t’i mbledhin të gjitha nënshkrimet atëherë këtë do të mund ta vendosin si pikë të rendit të ditës në seancën e ardhshme të Kuvendit.

“Ne po diskutojmë edhe me deputetët e partive tjera që t’i kemi edhe nëntë nënshkrime, por në qoftëse nuk i mbledhim atëherë ne do ta qesim në seancën e Kuvendit si pikë të rendit të ditës dhe që t’i marrim votat e shumicës së deputetëve dhe atëherë e konsiderojmë se ky komision është themeluar”, shton ajo.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk kanë ndonjë qëndrim për këtë çështje.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë për Arbresh.info se për këtë vendos grupi parlamentar.

“Nuk e kemi ende ndonjë qëndrim. Për çdo vendim mblidhemi dhe vendosim dhe çkado që vendos grupi është qëndrimi ynë dhe nuk kam çka të them tjetër”, ka thënë Kadrijaj.

Sipas deputetit të PDK-së, Zenun Pajaziti, në këtë parti nuk kanë biseduar për këtë çështje.

“Nuk është që unë nuk mundem me fol, por në emër të partisë nuk kemi pasur bisedime për këtë”.

Ishte vet kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili kishte thënë se nga fillimi i këtij viti do të fillojë një proces shumë më transparent lidhur me veprimtarinë e SHIK-ut.

Exit mobile version