Fehmi Mehmeti është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës si guvernator i ri i Bankës Qendrore të Kosovës. Deri tani ai kishte qenë ushtrues detyre i guvernatorit.
Ai më datë 1 shtator 2013 ishte emëruar në pozitën e zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Në pozitën e tij si zëvendësguvernator i Mbikëqyrjes Financiare, ishte i ngarkuar për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare, të cilat operojnë në Republikën e Kosovës, apo në veçanti të bankave, institucioneve mikrofinanciare, institucioneve financiare jobankare, kompanive të sigurimit, të fondeve pensionale dhe letrave me vlerë. Në të njëjtën kohë, si anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQK-së ishte i ngarkuar në zbatimin e politikave të Bankës Qendrore dhe të operacioneve të saj.
Mehmeti, në vitin 1991 ka mbaruar studimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Fakulteti Ekonomik. Në vitin 2012, ka përfunduar studimet pasuniversitare, drejtimi Tregje Financiare dhe Banka.
Gjatë viteve 1991-1992, Mehmeti ka punuar në shkollën e mesme “Marin Beçikemi” në Vushtrri, si ligjërues i lëndëve ekonomike, ndërsa gjatë viteve 1993-1998 ka punuar si udhëheqës financiar në ndërmarrje tregtare.
Gjatë viteve 1999-2001 ai ka punuar në Kuvendin Komunal në Vushtrri, fillimisht si zyrtar në departamentin e financave, e pastaj si Drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Në periudhën 2001-2011, Mehmeti ka mbajtur pozicione të ndryshme në Administratën Tatimore të Kosovës, fillimisht në zyrën regjionale në Mitrovicë, si inspektor tatimor, e pastaj në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve në Prishtinë, fillimisht në pozitën e Këshilltarit për TVSH e pastaj si Menaxher i Kontrollit të Tatim paguesve.
Gjatë kohës së angazhimit në Administratën Tatimore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka qenë pjesëmarrës aktiv në hartimin e Legjislacionit tatimor të Kosovës.
Ndërsa në periudhën 2011-2013, Mehmeti ka qenë fillimisht Zyrtar kryesor për buxhet dhe financa, Departamenti i Financave, e pastaj si Shef Kabineti i Kryeshefit Ekzekutiv, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Gjatë kohës së angazhimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës , Fehmi Mehmeti ka qenë pjesëmarrës aktiv në hartimin e Legjislacionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Gjatë periudhës 2010-2013 ai ka qenë Drejtor Bordi në Ndërmarrjen Publike “Uniteti” me seli në Mitrovicë. Njëkohësisht, gjatë viteve 2011-2012 është angazhuar si bashkëpunëtor i jashtëm, Ligjërues në Universitetin e Prishtinës.
Përveç përvojës së lartcekur, Mehmeti ka titullin e Kontabilistit të Certifikuar dhe është njohës shumë i mirë i çështjeve tatimore, dhe çështjeve te aviacionit civil.
Guvernatori Fehmi Mehmeti është i lindur më 06.05.1969 në fshatin Beçiq, Komuna e Vushtrrisë. Jeton në Prishtinë me bashkëshorten e tij znj. Fatime Mehmeti dhe kanë tre fëmijë: Ermirin, Ermirën dhe Ardianin.