Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit si dhe pritshmëritë e Lëvizjes Vetëvendosje për të arritur një mbështetje prej 70 për qind.
I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Peci tha se vendosja e objektivave të larta është një praktikë e zakonshme në menaxhim, me qëllim të mobilizimit maksimal të potencialit.
“Sa i përket asaj se i pimë espressot 70 a 50, unë espresson e pi gjithmonë 70 për qind, se ajo më duket që është më e mira, por menaxherët më të mirë zakonisht vendosin objektiva në fillim që janë të paarritshme edhe për ata”, tha ai.
Sipas tij, kërkesa për një rezultat prej 70 për qind nuk duhet të shihet si një parashikim i domosdoshëm i rezultatit final, por si një synim për rritjen e angazhimit.
“Zakonisht, menaxheri i mirë e vendos objektivin tepër lart, që angazhimi me qenë maksimal dhe me maksimalizu potencialin që e ke”, deklaroi Peci.





