Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në diplomimin e gjeneratës së 58-të të policisë ka thënë se Policia e Kosovës vazhdon të jetë një ndër institucionet më të besueshme për qytetarët.
Kurti tha se në dy vitet e fundit, Policia e Kosovës ka vijuar me intensitet të madh punën edhe në veri të vendit, që sipas tij, në të kaluarën ka qenë zonë e rehatisë për “bandat kriminale të udhëhequra nga Beogradi”.
“Pikërisht për shkak të këtij aktiviteti të shtuar të policisë në atë zonë, ka pasur sulme të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve tanë policorë, ku 25 janë lënduar lehtë, një është plagosur e një ndodhet në tretman mjekësor pas lëndimit që kishte marrë në aksionin e arrestimit të kriminelit famëkeq ‘Llune’”.
“Të gjitha këto rezultate e sakrifica, në garantim të sundim të ligjit janë dëshmi se detyra e secilit polic kërkon përkushtim në detyrë, konsistencë në veprim dhe bindje të pakompromisë në respektim të ligjshmërisë”, tha Kurti.
Tutje, ai tha se Policia e Kosovës është vijimësi e UÇK-së dhe si pjesëtarë të Policisë, policet e policët e diplomuar do të jenë pjesë e historisë së Kosovës.
“Policia jonë është vijimësi e UÇK-së. Liria jonë ka ardhur pas sakrificave të brezave të tërë për liri e çlirim nga okupatori serb. Si pjesëtarë të Policisë së Kosovës, do të jeni pjesë e historisë së vendit tonë dhe përpjekjeve tona për ta forcuar Republikën tonë”.
“Rezultatet e sukseset ndër vite të policisë, vetëmohimi dhe puna e palodhshme e policëve të 57 gjeneratave para jush dhe policët e rënë në krye të detyrës, le të jenë udhërrëfyes i punës suaj të përditshme”, tha Kurti