Site icon PrishtinaPress

Zgjatja e kohës në Institutin e Krimeve të Luftës, Tahiri: Çfarë borxhi kaq të madh ka Kurti ndaj Serbisë?

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar sërish lidhur me zgjatjen e kohës së Institutit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, i cili synon që të hulumtojë krimet deri më 31 dhjetor të vitit 2000.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Tahiri ka parashtruar pyetje se “çfarë borxhi kaq të madh ka Albin Kurti ndaj Serbisë”, që sipas tij, po ia akomodon interpretimet e saj politike në norma ligjore.

“Nuk mund ta kuptoj se çfarë borxhi kaq të madh ka Albin Kurti ndaj Serbisë, aq sa interpretimet e saj politike t’ia akomodojë në norma ligjore, siç ishte rasti i djeshëm me kohëzgjatjen e hulumtimit të krimeve të luftës deri me datën 31 dhjetor, 2000. Kur lufta ka përfunduar në qershor të 1999-tës, kush paska bërë krime lufte deri në dhjetor të 2000-tës? Cilën zonë operative e paskan në target këto hulumtime? Dukagjinin? Drenicën? Llapin? Kush qenkan ata kryerës të krimeve të luftës në vitin 2000? Komandantët, ushtarët e UÇK-së, KFORI?”, shkroi ai.

Shefi i deputetëve të PDK-së thotë se miratimi i Ligjit për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, është një veprim antihistorik e antikombëtar dhe i pafalshëm.

Sipas tij, me anë të këtij Ligji, legalizohet kërkesa e kahmotshme e Serbisë.

Miratimi i Ligjit për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë nga koalicioni Zdravo i udhëhequr nga Albin Kurti, gjatë seancës së errët të ditës së djeshme, përmes së cilave pretendohet të hulumtohen krime lufte deri në dhjetor të 2000-tës, është një veprim antihistorik e antikombëtar dhe i pafalshëm, përmes së cilit legalizohet kërkesa e kamotshme e Serbisë”, tha Tahiri.

Tahiri më tej ka thënë se është e qartë që ka koordinim për akomodimin dhe amnistinë e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë.

“Se këtu ka një koordinim për akomodimin dhe amnistinë e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, tash është mjaft e qartë dhe ky koordinim po jep frytet e para. Në këtë vijë, Albin Kurti dhe Milan Radojçiqi dje u kujdesën edhe për përuljen e padinjitetshme që Qeveria “Zdravo” ua bëri veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me largimin e tyre nga kompensimi paralel me pagën minimale. Ku jeni nisur kështu? Kah po shkoni? Çfarë borxhi keni ndaj Serbisë?”, përfundoi shefi i GP të PDK-së.

Nuk mund ta kuptoj se çfarë borxhi kaq të madh ka Albin Kurti ndaj Serbisë, aq sa interpretimet e saj politike t’ia…

Posted byAbelard Tahirion Friday, July 14, 2023

Ndryshe, pas një situate tejet të tensionuar, ku pati edhe përleshje fizike mes pozitës dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje në lexim të dytë Projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Pro miratimin të këtij projektligji votuan 61 deputetë nga shumica parlamentare, derisa dritë e gjelbër iu dha edhe disa amendamenteve të këtij projektligji.

Në momentin e votimit të projektligjin nuk ishin të pranishëm deputetët e partive opozitare.

Exit mobile version