Site icon PrishtinaPress

Kurti: Asociacionin s’e lejon Kushtetuta, kemi mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk lejohet nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Ai për median austriake DerStandard, ka cituar paragrafin e parë të planit të Ahtisaarit, “Kosova duhet të jetë shoqëri multietnike”, si kundërpërgjigje për krjimin e Asociacionit.

“Kur bëhet fjalë për Asociacionin serb të komunave, dua t’i referohem edhe Bosnje-Hercegovinës. Më 26 prill 1991, 14 komuna me shumicë serbe atje u bashkuan dhe themeluan një asociacion; më 9 janar 1992 shpallën pavarësinë dhe më 28 shkurt 1992 miratuan kushtetutën”, ka thënë Kurti.

Ai ka potencuar se të drejtat e pakicave janë një pjesë shumë e rëndësishme e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë.

“Vuçiqit i thashë se kam krijuar përshtypjen se ai nuk e dëshiron Asociacionin, sepse nuk mund të duash Asociacion dhe të thuash çdo javë ‘nuk do ta njohë shtetin e Kosovës’. Por të drejtat e pakicave janë një pjesë shumë e rëndësishme e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë. Pra, kur të arrijmë në atë pikë, Serbia mund të bëjë një propozim se si ta zgjidhë atë. Po kështu do të mund të bëjmë propozime për çështje që i konsiderojmë të rëndësishme për pakicat në Serbi”, ka thënë ndër të tjera ai.

Kryeministri Kurti ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, ku ka thënë se udhëtimi pa viza do të jetë në vitin 2024. Ai ka thënë se ka mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ne kemi mbështetje për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por ende duhet të kalojmë disa procedura. Do të aplikojmë edhe për anëtarësim në NATO”, ka thënë tutje Kurti.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në muajin maj të vitit të kaluar./Prishtinapress/

Exit mobile version