Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri vazhdon të kundërshtoj fuqishëm idenë e ndryshimit të kufijve apo këmbimit të territorit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Një mbështetje të fortë në këtë drejtim ai e ka marrë sot edhe nga kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari dhe ai i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
Në një takim të përbashkët që është mbajtur në ambientet e administratës komunale në Mitrovicë, kryetarët e lartpërmendur të komunave kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë lidhur me deklaratat e fundit të disa zyrtarëve të lartë shtetëror, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, për mundësinë e ndryshimit apo këmbimit të territorit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në takim kryetarët Bahtiri, Jashari dhe Tahiri e kanë kundërshtuar fuqishëm idenë për mundësinë e ndryshimit të kufijve, apo këmbimit të territoreve midis Kosovës e Serbisë në bisedimet për stabilizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve që do të vijojnë në Brukesl gjatë ditëve të ardhshme.
Ata vlerësojnë se një gjë e tillë është synim i kamotshëm i Serbisë dhe e dëmshme për shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj dhe se për pasojë mund të ketë vetëm pasiguri e destabilizim të gjendjes.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e çartë dhe decideive. Ajo nuk lejon në asnjë mënyrë ndryshimin e kufijve të shtetit të Kosovës dhe as këmbimin e çfarëdo pjese të territorit të tij. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët janë të obliguar me kushtetutë që të mbrojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, prandaj ne qëndrojmë fuqishëm në mbrojtje të këtyre parimeve dhe kundërshtojmë edhe më fuqishëm tendencat dhe idetë për ndarjen apo këmbimin e territorit të shtetit të Kosovës”, thanë kryetarët Bahtiri, Jashari dhe Tahiri.