Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku u vendos që të dërgohet për në Qeveri Projektligji për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Krasniqi ka thënë se do të jetë Qeveria e Kosovës ajo e cila tanimë do të vendos lidhur me këtë çështje.
“Unë mendoj që ne jemi të obliguar që t’i respektojmë ligjet, procedurat dhe rregulloret që janë në fuqi. Kryesia ka pasë përgjegjësi që sot ta dërgojë në Qeveri. Presim që ata t’i kryejnë detyrat e tyre”, ka thënë Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka reaguar në lidhje me deklaratën e Lidhjes Demokratike të Kosovës se Kuvendi i Kosovës ka dështuar në miratimin e konkluzave me Parlamentin Evropian.
Përmes një deklarate për media, pas përfundimit të Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi ka thënë se Kosova në të katër takimet për MSA-në ka pasur takime shumë të mira me Parlamentin Evropian dhe se ka pasur konkluza të përbashkëta.
Sipas tij, Kosova është i vetmi shtet i cili është dakorduar kaq shumë me këtë parlament, pasi siç thotë ai, asnjë shtet tjetër nuk e ka bërë një gjë të tillë deri më tani.
Sipas tij ishte vetëm një amendament i propozuar nga një euro-deputet për dhomat speciale, për të cilën nuk janë dakorduar.
Megjithatë, ai thotë se nuk ishin të gjithë anëtarët përfaqësues të Kosovës që kanë qenë kundër kësaj, pasi ishte ai i LDK-së dhe i Listës Serbe që e kishin votuar atë amendament të propozuar nga eurodeputeti.
Ndërsa, përfaqësuesit e tjerë të Kosovës, sipas tij, kanë abstenuar.
E ndërkohë nga mbledhja e Kryesisë sot është larguar grupi parlamentar i LDK-së. Shefi i grupit, Avdullah Hoti, është shprehur se qëndrimi i LDK-së për këtë çështje është i qartë.
“Në pikën e tretë u diskutua për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ne e lëshuam mbledhjen sepse kjo çështje është e dëmshme dhe rrezikon marrëdhëniet me ndërkombëtarët”, tha ai.
“Qëndrimi ynë për Specialen dihet. LDK-ja është kundër shfuqizimit. Ishte në rend dite edhe sot. Të shohim si do të vazhdojnë më tutje shumica parlamentare”, shtoi ai.