Site icon PrishtinaPress

Kosovapress: Qeveria i njeh dokumentet ku Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë

Marrëveshja për letërnjoftimet në mes të Kosovës dhe Serbisë ka bërë që Qeveria e Kosovës t’i njeh dokumentet e lëshuara nga strukturat paralele serbe, në të cilat shteti i Kosovës trajtohet si pjesë e brendshme e Serbisë. 

KosovaPress-i ka siguruar letërnjoftimin e Serbisë të një mitrovicasi nga veriu, në të cilin përveç shënimeve personale në alfabetin cirilik, shkruan vendbanimi Mitrovicë, për Drejtorinë e Policisë në Mitrovicën e Kosovës, dhe e lëshuar nga Republika e Serbisë.

Ky qytetar që deshi të mbetet anonim, thotë se udhëton pa problem me këtë dokument për në Serbi dhe anasjelltas, përmes kufirit të Jarinjes. 

Qytetarët, por edhe njohësit e rrethanave politike në Mitrovicë, konsiderojnë se marrëveshja për letërnjoftimet e ka vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por edhe ka legalizuar strukturat paralele serbe.

Nazmi Fejza, qytetar i Mitrovicës, ka bërë të ditur për KosovaPress, se dokumenteve ilegale në fjalë, legalitetin ua ka dhënë vetë kryeministri Albin Kurti me marrëveshjen e fundit.

Sipas tij, problemi tjetër i madh sa i përket këtyre letërnjoftimeve qëndron te mbi 6 mijë ardhacakë serbë në veri, nga vise të ndryshme të Kroacisë e Bosnjës, të cilët tashmë mund të jetojnë lirshëm në Kosovë dhe të lëvizin pa asnjë problem. 

“Deri në ditën kur Albin Kurti si kryeministër ka pranuar që me këto dokumente me kaluar kufirin kanë qenë ilegale, ndërsa legalitetin ua ka dhënë Albini me marrëveshjen gojore që e ka bërë me Vuçiqin. E dyta, problem më i madh rreth këtyre letërnjoftimeve qëndron te mbi 6 mijë ardhacakë të cilët jetojnë në komunat e veriut, të cilët nuk kanë dokumentacion të Kosovës, por të Serbisë. Dhe sikur të kishte vazhduar situata e mëparshme, këta qytetarë do ta kalonin njëherë kufirin për nevoja të tyre në Serbi, por pas ardhjes do të obligoheshin që brenda tre muajve ta lëshojnë Kosovën. Me këtë marrëveshje këta qytetarë lirshëm do të jetojnë në Kosovë dhe do të lëvizin pa asnjë problem”, ka thënë Fejza. 

Politologu Musa Preteni, tërhoqi vërejtjen se ekziston një detaj tjetër rreth marrëveshjes për letërnjoftimet, e që nuk u publikua asnjëherë, por që në mënyrë direkte vë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. 

“Duket se në praktikë ekziston edhe një detaj tjetër i marrëveshjes i cili në fakt nuk na është prezantuar asnjëherë dhe i cili në mënyrë direkte e vë në diskutim sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Në qoftëse qytetarët serbë të Kosovës, të lindur në Kosovë, kanë dokumentacion të caktuar në të cilin shkruan Republika e Serbisë, dhe përmes këtij dokumentacioni arrin ta kalojnë kufirin… atëherë mendoj se kjo e vë në diskutim integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe në një formë mund të interpretohet si njohje e një realiteti të ri, duke paraqitur në këtë rast një komunë të caktuar qoftë Mitrovica apo një komunë tjetër e Kosovës, si pjesë të Serbisë”, theksoi Preteni. 

Edhe Emir Azemi, njohës i rrethanave politike, thotë se letërnjoftimet të cilat i lëshon Serbia për qytetarët dhe territorin e Kosovës me mbishkrimin Republika e Serbisë, në aspektin juridik përbëjnë shkelje ligjore. 

Ndërsa në aspektin politik, ai shtoi se kjo është një marrëveshje e përkohshme që i ka dhënë fund një krize që ishte shfaqur muajt e kaluar. 

“Fakti që në letërnjoftimet të cilat i lëshon Republika e Serbisë për qytetarët e Kosovës, Mitrovica ose një komunë tjetër mbetet me mbishkrimin Republika e Serbisë, në aspektin juridik natyrisht se përbën shkelje ligjore në territorin e Kosovës… Unë mendoj se kjo është një marrëveshje e përkohshme që i ka dhënë zgjidhje një krize që ishte shfaqur në muajt e kaluar, por ky problem duhet të zgjidhet në një marrëveshje gjithëpërfshirëse ku palët do t’i japin fund një konflikti shekullor…Ky është një kompromis, në politikë kompromiset janë të dhimbshme”, u shpreh Azemi. 

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, ka konfirmuar për KosovaPress, kalimin e kufirit Kosovë-Serbi dhe anasjelltas nga ana e qytetarëve të veriut me letërnjoftime të Serbisë.

“Po, qytetarët po kalojnë kufirin me letërnjoftime të Serbisë dhe deri tani nuk ka ndonjë pengesë”, ka thënë shkurt togeri Radoviq.

Në anën tjetër, KosovaPressi i është drejtuar me pyetje Qeverisë përmes adresës elektronike për të marrë një sqarim rreth kësaj çështjeje, mirëpo gjatë gjithë javës ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Exit mobile version