Site icon PrishtinaPress

Konjufca thotë se qeveria e re do të bëhet me pakicat joserbe

Rezultatet e 9 shkurtit treguan se ndryshe nga viti 2021, asnjë nga partitë politike nuk e kanë siguruar shumicën absolute.

Kështu është komplikuar situata rreth formimit të qeverisë së re.

Pavarësisht se në fushatë i kërkoi 500 mijë vota, ato nuk i arriti t’i marrë nga qytetarët.

Dhe kështu LVV, nuk do të mund të qeverisë vetëm dhe për këtë shkak i duhet një koalicion.

E për këtë ka folur nënkryetari i këtij subjekti politik, Glauk Konjufca.

Konjufca tha se partia që ai përfaqëson, synon të formojë qeverinë me mbështetjen e pakicave joserbe.

“Siç e keni parë, qeveria ‘Kurti 2’ është formuar në bashkëpunim me pakicat joserbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka pasur një efekt pozitiv në Kosovë, duke e penguar Listën Serbe, e cila vepron nën ndikimin e Beogradit, të ketë fuqi vendimtare siç ka pasur në qeveritë e kaluara”, tha Konjufca për gazetën italiane Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa transmeton Klankosova.tv

Sipas Kushtetutës, pakicat joserbe i kanë 10 vende të rezervuara në Kuvend.

Duke siguruar mbështetjen e tyre, LVV mund të arrijë në 58 vende.

Po ashtu, LVV po llogarit edhe në votën e Nenad Rashiqit, ministrit për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e kaluar të Kurtit, i cili bashkëpunon me institucionet e Kosovës, thuhet tutje në artikullin e kësaj gazete.

Rashiq hyri në parlament pasi Lista Serbe nuk i fitoi të gjitha 10 vendet që tradicionalisht u ndaheshin serbëve, duke siguruar vetëm 9 vende në vend.

Megjithatë, për të arritur shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh të nevojshëm për formimin e qeverisë, LVV-së i duhen edhe dy deputetë të tjerë.

Sigurimi i kësaj mbështetjeje është sfidues pa bashkëpunim nga partitë opozitare, nëse disa nga deputetët e tyre nuk vendosin të rreshtohen me Kurtin.

Konjufca, ishte kryetar i Kuvendit gjatë katër viteve të fundit dhe mori mbi 200 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ai  beson se bashkëpunimi me partitë opozitare nuk ka gjasa.

“Nëse lind nevoja do të mblidhemi si lidership dhe do të vendosim për hapat e mëtejshëm, por deri më tani partitë opozitare kanë mbajtur qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë shumë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft jokonvencionale, me shumë akuza të padrejta dhe goditje të ulëta. Kjo ka lënë gjurmë”, theksoi ai.

Exit mobile version