Site icon PrishtinaPress

Komuna e Prishtinës reagon pas grevës së autobusëve të linjës 3

“Të gjithë operatorët privatë kanë qenë të njoftuar me reformën që po ndodh në transportin publik shumë kohë më parë”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.

Përfaqësuesit e kompanisë së linjës 3 të transportit në kryeqytet që në mëngjesin e ditës së sotme kanë hyrë në grevë për siç thonë ata, mosinformimin me kohë nga Komuna e Prishtinës për ndryshimet që janë duke ndodhur në transportin publik.

Mirëpo, një gjë e tillë është mohuar nga komuna e Prishtinës.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë për lajmi.net se të gjithë operatorët privatë kanë qenë të njoftuar me reformën që po ndodh në transportin publik shumë kohë më parë dhe se sipas tij, gjatë ditës së djeshme përsëri i kanë takuar disa përfaqësues të këtyre kompanive dhe ua kanë sqaruar tërë situatën.

“Të gjithë operatorët privatë kanë qenë të njoftuar me reformën që po ndodh në transportin publik shumë kohë më parë. I kemi takuar dhe dje disa prej tyre dhe ua kemi sqaruar situatën. Për shembull, linja 7 është për Kolovicë. Në Kolovicë nuk shkojnë autobusët e Trafikut Urban. Pra, nuk u merret linja. Vetëm në zonat rreth stacionit të autobusëve takohen autobusët privatë me ata të Trafikut Urban që janë caktuar për lagjen Kalabria”, ka deklaruar Tahiri për lajmi.net.

Sipas tij, kësaj reforme të transportit publik në Prishtinë duhet t’i përshtaten operatorët privatë, e jo anasjelltas.

Exit mobile version