Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka nisur sot, më 10 gusht 2026, integrimin e personelit të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Visoki Deçanit.
Sipas KFOR-it, ky hap është pjesë e procesit të optimizimit të pranisë dhe qëndrimit të misionit në Kosovë, në kuadër të përmirësimit të situatës së sigurisë.
Procesi, sipas KFOR-it, do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe të bazuar në kushte, ndërsa do të koordinohet ngushtë me një sërë akterësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
KFOR ka theksuar se angazhimi i tij për sigurinë e Manastirit të Visoki Deçanit dhe për sigurinë e të gjitha komuniteteve lokale mbetet i palëkundur.
“Personeli ynë është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it nga OKB-ja”, thuhet në njoftim.
KFOR ka bërë të qartë se vazhdon të jetë reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Visoki Deçanit.
Misioni i NATO-s ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë, me qëllim ruajtjen e transparencës, bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë, si dhe shmangien e keqkuptimeve.
KFOR u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe bashkëpunim.
Misioni i NATO-s ka rikujtuar se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.
KFOR thekson se këtë mandat e zbaton në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues në fushën e sigurisë.
