Site icon PrishtinaPress

Kërcënimet e Beogradit për luftë në Kosovë, vetëm betejë politike

Pas paraqitjes së Forcave Speciale të Kosovës në Veri të Mitrovicës, në ditën e vizitës nga Presidenti Hashim Thaçi, zyrtarët serbë në deklaratat e tyre thanë se Serbia do të jetë në gjendje gatishmërie për luftë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq la të hapur mundësinë e luftës me Kosovën.

Por, gatishmëri me 1000 ushtarë kërkoi edhe Kryetari i Partisë Radikale Serbe Vojislav Sheshel,  gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë, shkruan lajmi.net.

Njohësit e sigurisë në Kosovë vlerësojnë se duhet marrë seriozisht këto deklarata që po vijnë në kohën kur po tentohet arritja e një marrëveshjeje paqësore mes dyja vendeve.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja duke folur për lajmi.net tha se këto deklarata qëllimin e kanë ta kthejnë Kosovën në pikën zero. Por, sipas tij, serbët duhet ta kenë parasysh se Kosova nuk është në pozicionin e para 20 viteve.

“Ka njerëz që po mendojnë se këto kërcënime që po vinë nga Serbia janë të momentit e të qëllimshme për t’i arritur qëllimet që do të pasojnë. Mirëpo unë duke e ditur mirë strategjinë e veprimit serb në tërësi, unë jam i prirë të mendoj që në pamundësi t’i arrijnë qëllimet e veta me mjete politike mund të tentojnë që me përgatitjen e përshpejtuar të forcave dhe mjeteve të caktuara më parë të depërtojnë në territorin e Kosovës papritmas dhe të na binë ne dhe bashkësinë ndërkombëtare në një akt të kryer dhe kështu t’i arrijnë qëllimet e veta sipas doktrinës së ngjashme me atë që ndodhi në Krime”, tha ai.

Sipas tij, edhe NATO e ka kuptuar se mund të ndodh ky skenar prandaj edhe po e mbështet transformimin e FSK-së në ushtri.

Qehaja propozoi përgatitjen e planeve për situata të jashtëzakonshme që tani.

“Ndoshta duhet t’i kthehemi edhe njëherë atyre planeve në mënyrë që t’i parashohim mjetet dhe trupat në aspektin e sigurisë, për mbrojtjen e territorit e sidomos në veri sepse qëllimi i serbëve është të depërtojnë atje”, theksoi ai.

Për ftesën e bërë dje nga FSK ndaj komunitetit serb të bëhen pjesë e transformimit të tyre në ushtri, ai tha se e vlerëson si një gjë pozitive, por që nuk është për t’i lutur për kthim në FSK ata që janë larguar për shkak të presioneve.

Ndërsa në pyetjen se a do ta lejonin ndërkombëtarët të krijohet një situatë lufte mes dy vendeve ai kujtoi situatën në Veriun e Mitrovicës kur serbët vendosnin barrikada nëpër rrugë, ndërsa njësitet e KFOR-it vetëm vëzhgonin nga largësia.

“E dimë se NATO vepron sipas Rezolutës 1244. Kanë qenë shikues pasiv të ngjarjeve por kjo nuk do të thotë se ata nuk do të intervenonin kur është nevoja, por mua më ka lënë shumë bresa negative kjo çështje e shikimit se çka po bëjnë ata. D.m.th. kanë bërë diçka keq e ata vetëm kanë shikuar”, tha ai.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj tha për lajmi.net se deklaratat e zyrtarëve serbë po bëhen vetëm për t’i rritur pazaret e tyre në procesin e arritjes së një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Sipas tij, Kosova e Serbia janë në luftë deklaratash për ta treguar superioritetin karshi palës tjetër.

“Këto deklarata janë të pritshme dhe bëhen për ‘rritjen e pazarit’ në çfarëdo negociata e marrëveshje që mundet me arritë Kosova e Serbia. Është një betejë politike që zhvillohet edhe prej anës ë Kosovës edhe asaj të Serbisë në mënyrë që në marrëveshjen eventuale të përfitojnë më shumë. Ne kemi deklarata edhe nga Presidenti Thaçi se do ta marrim anën e Luginës së Preshevës pa dhënë asgjë në këmbim”, vlerësoi ai.

Theksojmë se në lidhje me vizitën e presidentit Thaçi në Ujman kishte reaguar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Ai kishte thënë se është detyrë e presidentit t’i vizitojë të gjitha pjesët e Kosovës, ndërkaq kishte shtuar se veprime të tilla janë konform ligjit.

Exit mobile version