Ministria e Shëndetësisë pritet që gjatë javës së ardhshme të hap konkursin e ri për rreth 260 pozita, por që prioritet kanë specializantët për lëmin e anesteziologjisë. Ky proces do të bëhet bazuar me Udhëzimin e Ri Administrativ për shkollim specialistik i cili është miratuar para një muaji.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se ky konkurs për specializantë do të hapet bazuar në nevojat dhe kapacitetet infrastrukturore dhe mentoriale. Sipas tij tashmë është emëruar edhe Bordi i Shkollimit Specialistik.
“Ky Bord tanimë është emëruar dhe po presim ose brenda kësaj jave ose në javën tjetër do të hapet edhe konkursi ku janë diku rreth 250 apo 260 pozita në total…dhe natyrisht po për herë të parë sipas këtij Udhëzimi Administrativ për Shkollim Specialistik do të jenë disa faktorë të cilët do të ndikojnë në hapjen e konkurseve për specializim në lëmi të caktuara”, theksoi ai.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu konsideron se nuk janë zgjedhur problemet ekzistuese për këtë shkollim dhe ky konkurs vetëm sa do të shkaktojë kaos.
Ndonëse konsideron se ka nevojë për një konkurs të tillë shkollimi, Sejdiu thekson se ekziston rreziku që sektori primar shëndetësor të mbes pa staf.
“Mund të shkaktojë një luhatje, një zbrazje e sektorit primar por kjo ndodh vetëm nëse MSh gjegjësisht Bordi nuk respekton kriteret që së paku 1 vit duhet të kesh përvojë pune në sektorin primar”, theksoi Sejdiu.
Kritika për neglizhencë për një konkurs të tillë shprehu anëtari i Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Armend Zemaj.
Sipas tij, nevojat janë shumë të mëdha dhe për këto dy vite ndonëse shpresat ishin të mëdha asgjë nuk është bërë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj konsideron se qeverisja aktuale ka pasur tendenca ta njollosë konkursin e specializantëve i cili ishte hapur gjatë mandatit të tij.
“Shpresa ishte që fjalët të shndërrohen në vepra, kaluan dy vite tash edhe 5 muaj të këtij viti me të njëjtën gjendje vetëm fjalë, premtime, analiza diçka që është e parëndësishme për parandalimin e ikjes së mjekëve apo plotësimin e nevojave deficitare që ka në Kosovë”, shprehet Zemaj.
Në vitin 2020 ishin pranuar rreth 1 mijë e 500 specializantë pas një konkursi që kishte hapur Ministria e Shëndetësisë, nën udhëheqjen e ish-ministrit, Armend Zemaj. Kritikat rreth këtij procesi ishin të mëdha. Madje, edhe vetë specializantët disa herë edhe kanë protestuar./PrishtinaPress/