Site icon PrishtinaPress

Ish-ushtari i Agim Ramadanit udhës për t’u bërë Kryeprokuror i Shtetit

Pak kush e di se Blerim Isufaj, njëri prej prokurorëve më të njohur në vend, si i ri, kishte qenë pjesë e UÇK-së. Madje, pjesëtar i brigadës së Agim Ramadanit. 23 vite pas përfundimit të luftës, Blerim Isufaj është pretendenti kryesor për të pasuar Aleksandër Lumezin, si Kryeprokuror i ri i Shtetit.

Kryeprokurori i Prokurorisë më të rëndësishme në vend, asaj Speciales, Blerim Isufaj ka hyrë në garën për Kryeprokuror të Shtetit. Përvoja e tij atë e bën një nga pretendentët kryesorë për t’u bërë shef i Kryeprokurorisë së Shtetit të Kosovës.

I lindur më 01 nëntor 1968, në Junik, Blerim Isufaj si 30 vjeçar i ishte bashkuar luftës për çlirimin e Kosovës. Ai u bë pjesë e brigadës së Agim Ramadanit në UÇK, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Me të përfunduar lufta, Isufaj e vazhdoi “luftën” e tij kundër së keqes në vend. Fillimisht si jurist-praktikant e bashkëpunëtor profesional në Prokurorin e Qarkut në Pejë, për të pasuar me një përvojë ndryshe, si këshilltar juridik i ish-Ministres së Drejtësisë, të ndjerës Nekibe Kelmendi.

Dëshmimi i tij në fushën e drejtësisë, dhe përgatitja e duhur, Isufajn në vitin 2010 e bëri Prokuror të Shtetit, në atë të Qarkut në Pejë. Për t’u avancuar tre vite më vonë si prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, e për t’u bërë më pas edhe shef i kësaj prokurorie.

Nga viti 2013 deri në 2015, Blerim Isufaj si Prokuror special u bë emër i njohur për shkak se kishte nisur ndjekjet e rasteve më të rënda penale të asaj kohe. Fjala është për rastet e ekstremizmit fetar në Kosovë dhe terrorizmit, që ishin shndërruar në dukuri shqetësuese në Kosovë pasi qindra kosovarë i ishin bashkuar luftërave në Siri e Irak, e vala e njerëzve nga Kosova që po vazhdonin të shkonin ishte ende e madhe.

Prokurori Isufaj kishte drejtuar një hetim shumëdimensional dhe si rezultat në vitin 2015 ai i dha një nga goditjet më të mëdha kësaj strukture të rrezikshme për vendin duke ngritur 11 aktakuza efektive dhe sekuestruar pasuri në vlerë milionëshe. Ky hetim dhe ndjekje efikase ishte vlerësuar lartë edhe nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së dhe Bashkimi Evropian në raportet monitoruese të tyre për luftimin e terrorizmit në Kosovë.

Në vitin 2016, deri në atë 2019, Blerim Isufaj u zgjoj Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës. Raportet vlerësojnë se gjatë kësaj periudhe KPK kishte treguar performancë tejet pozitive. Krahas plotësimit të të gjithë kornizës nënligjore me kapacitete të brendshme dhe kosto minimale po ashtu arrin që të ketë efekt edhe në fuqizimin substancial të sistemit prokurorial. Në këtë drejtim brenda kësaj periudhe shtohet numri i prokurorëve në Kosovë për 1/3-ën, dhe arrin numrin më të lartë të prokurorëve që ndonjëherë ka pasur sistemi prokurorial. Të gjitha proceset e rekrutimit ishin monitoruar e vlerësuar nga shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe u shtua edhe numri i personelit administrativ, në numër domethënës, respektivisht rekrutohen mbi 200 staf administrativ në Prokurori. Me këtë krijohen parakushtet për punë më cilësore në sistemin prokurorial në Kosovë.

E tërë kjo ishte bërë e mundur me një menaxhim efikas të buxhetit dhe kërkesave buxhetore të argumentuara mirë. Si rezultat buxheti i sistemit prokurorial nga 6 milion në 2016 arrin ne 14 milion në 2019.

Dhe pas gjithë këtyre përvojave dëshmuese, Blerim Isufaj në vitin 2019, zgjidhet Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës. Me të marrë këtë pozitë, edhe pse në situatë pandemie, arrin që të strukturojë PSRK-në në 4 departamente dhe të caktojë prokurorët. Strukturimi i PSRK-së ishte kërkesë e vazhdueshme e BE-së dhe për vite me radhë nuk ishte bërë asnjë hap konkret. Krejt kjo u arrit brenda 3 muajve të parë që kur Blerim Isufaj kishte marrë këtë pozitë.

Puna kishte vazhduar me skanimin e plotë të të gjitha lëndëve në punë në Prokurori Speciale. Në këtë drejtim PSRK për herë të parë ndryshon trajektoren duke zgjidhur më shumë lëndë se që pranoheshin në punë. Skanimi i lëndëve kishte mundësuar që të caktojë prokurorët e departamentit të krimeve të luftës për secilin regjion të Kosovës. Në bashkëpunim me policinë ka mundësuar edhe që të caktohen ekipe të hetuesve që do të shërbejnë për këta prokurorë.

12 vjet pasi nisi punën e Prokurorit si prokuror qarku, Blerim Isufaj është rrugës për t’u bërë shef i të gjithë Prokurorisë së Shtetit. Ai është një nga prokurorët në garë për Kryeprokuror të Shtetit, që zgjidhet në KPK brenda pak javësh, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Dhe natyrisht, Isufaj, për shkak të bagazhit profesional konsiderohet si pretendenti kryesor në këtë garë.

Përveç Isufajt, të drejtën për aplikim për Kryeprokuror të Shtetit e kanë shfrytëzuar edhe kandidatët Arben Ismajli, ish-prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan, tashmë prokuror në Prokurorinë e Apelit; Armend Hamiti – prokuror në Prishtinë; Kujtim Munishi – Kryeprokuror në Prishtinë si dhe Lulzim Sulejmani e Shqipdon Fazliu të dy prokurorë në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Përvoja e punës së Blerim Isufajt:

• Praktikant në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë, (gusht2002 – korrik 2003)
• Bashkëpunëtor profesional në Prokurorinë Publike të Qarkut në Pejë, (prill 2004 – maj 2008)
• Këshilltar politik për çështje juridike i ministrit të Drejtësisë(maj 2008 – qershor 2010) Nekibe Kelmendi
• Prokuror i Qarkut dhe Krimeve të Rënda nga muaji korrik2010 deri në muajin mars 2013
• Prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nga muaji gusht 2013 deri më 14.01.2016
• 14.01.2016 – 14.01.2019 Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
• 2019- Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës

Exit mobile version