Site icon PrishtinaPress

IKSHPK rekomandon të mbyllen sektorët e kompanive ku ka raste pozitive me COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rekomanduar që të mbyllen sektorët e disa ndërmarrjeve ku janë konfirmuar raste pozitive me coronavirus.

Raste pozitive tashmë kanë dalë nëpër ndërmarrje publike e private: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri të Arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregtare e biznese të vogla.

“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike, private, posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregtare dhe biznese private, rekomandojmë Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetëizolim dhe bartja e maskave është obligative”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Gjithashtu, IKSHPK shkruan se këto ditë vërehet fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë, sjellje kjo e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajten e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike.

“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve. Si pasojë e mos bartjes së maskave qytetarë të nderuar ju po e rëndoni situatën epidemiologjike dhe po rrezikoni shëndetin e qytetarëve që po e mbajmë nën kontroll me mund të madh të ekipit të epidemiologëve dhe mikrobiologëve të Institutit Kombëtar”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Ndryshe, sonte Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, bënë të ditur, se janë testuar gjithsej 313 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, nga të cilat me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 53 raste të reja.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Vushtrrisë 18 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Stanovc i epërm, 4 raste Vushtrri, 1 rast Gllavotin, 1 rast Maxhunaj dhe 1 rast Dumnicë e poshtme), komuna e Prishtinës 18 raste (sipas vendbanimit: 18 raste Prishtinë), komuna e Istogut 11 raste (sipas vendbanimit: 11 raste Shushicë), komuna e Rahovecit 3 raste (sipas vendbanimit: 3 raste) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Fushë Kosovë, Skifteraj-Viti dhe Pejë.

Exit mobile version